Osmani: Gara në komunat e banuara me shumicë serbe u ndikua nga strukturat ilegale të Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gara për kryetar në komunat me shumicë serbe në Kosovë u ndikua nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë.
Ajo ka thënë se këto struktura kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve.
Osmani këtë e ka thënë gjatë takimit me delegacionin e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani vlerësoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale duke konfirmuar standardin e ndërtuar nga Republika e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Tutje, ajo nënvizoi se sipas informatave që vijnë nga institucionet tona, gara në komunat e banuara me serbë ishte e ndikuar nga imponimet e strukturave ilegale të Serbisë, të cilat e kanë cenuar garën në mes të subjekteve politike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve. Duke i falënderuar për prezencën e tyre dhe gatishmërinë për t’i qëndruar Kosovës pranë në çdo hap të konsolidimit të demokracisë në vend, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për përgjigjen pozitive të pranuar nga Parlamenti Evropian dhe vlerësoi lartë prezencën e këtij delegacioni në vëzhgim të zgjedhjeve”, thuhet nga Presidenca.
E misioni i BE-së e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve si demokratik e të karakterizuar me profesionalizëm të lartë dhe integritet të lartë të institucioneve por edhe të vet qytetarëve të Kosovës.
Në takim Osmani ka folur edhe për liberalizimin e vizave.
“Në takim, Presidentja Osmani diskutoi edhe për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, procesin e liberalizimit të vizave, nevojën për fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë, si dhe tema të tjera”, thuhet nga Presidenca.
Rruga Press