Osmani: FSK-ja e gatshme ta mbrojë territorin e Republikës së Kosovës në çdo pëllëmbë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi vigjilencë nga ushtarët e Kosovës dhe tha për ta se janë të gatshëm ta mbrojnë secilën pëllëmbë të territorit shtetëror. Në fjalimin vjetor në FSK-së, që e mbajti të mërkurën në kazermën në Istog, komandantja supreme dha mesazhin se ata që duan ta sfidojnë paqen e Kosovës do të marrin përgjigje ashtu siç e kishin marrë më 1999.
Nga një kazermë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia çoi disa mesazhe Serbisë.
E veshur me uniformën ushtarake, komandantja supreme deklaroi se ata që duan ta sfidojnë paqen dhe lirinë e Kosovës do ta marrin përgjigjen e njëjtë si e kishin marrë më 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“E kemi dëshmuar në vitet ‘90, kur ushtria jonë çlirimtare, edhe pse e paktë në numër në krahasim me ushtrinë gjenocidale e policinë serbe, kishte vullnetin e shpirtin luftarak shumëfish më të madh, sepse ishte në mbrojtje të atdheut. Pikërisht ky shpirt luftarak në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët, Kosovës, rezultoi me lirinë që e gëzojmë sot e të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht e çdo moment”, ka thënë Osmani.
Në fjalimin vjetor para FSK-së, presidentja tha se Ushtria e Kosovës është e gatshme ta mbrojë vendin në secilin cep.
“Djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për ta mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, në çdo pëllëmbë të tij”, ka shtuar ajo.
FSK-ja mund të shkojë në veri vetëm me leje të posaçme të KFOR-it, meqë garanci për këtë ka dhënë pararendësi i Osmanit, ish-presidenti Hashim Thaçi, në një zotim të shkruar të cilin ia pati ofruar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Osmani u kërkoi ushtarëve të Kosovës vigjilencë e devotshmëri ndaj atdheut dhe tha se anëtarësimi në NATO është vizion strategjik dhe destinacion i Kosovës.
Rruga Press