Lajme

Osmani: Frenimi i Serbisë i domosdoshëm si masë parandaluese për të ardhmen

Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë për sanksionim ndaj Serbisë, duke thënë se mos veprimi do të sjellë inkurajimin e tyre për sulme ndaj Kosovës.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe frenimi e sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”, ka thënë ajo nga konferenca në Kroaci.

Osmani ka theksuar se tashmë sipas të gjitha provave, qëllimi i grupeve terroriste që sulmuan Kosovën më 24 shtator ka qenë aneksimi i veriut, raporton RTK.

Lexo më shumë  Sveçla: I lumtur për renditjen e Kosovës në top 10 vendet me vlerën më të lartë të indeksit të Ligjit dhe Rendit

“Nëse nuk merren masa nga komuniteti euro atlantik, Serbia do të ndihet më e inkurajuar për të vazhduar me akte e sulme tjera me qëllimin përfundimtar, me atë që është dëshmuar nga të gjitha provat, aneksimi i veriut të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Tutje ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në vizionin dhe përpjekjet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar se Kosova po punon për synimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, duke i njohur ato edhe si garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në gjithë rajonin.

Lexo më shumë  Osmani në New York takon presidentin e Malawit: Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës

Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me homologun kroat, ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.

“Kosova në periudhën e fundit po përballet me një prej situatave më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia. Shpresoj që partnerët ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovës por gjithë rajonit”, ka thënë Osmani.

Rruga Press

YouTube player