KryesoreLajme

Osmani flet për Asociacionin dhe anëtarësimin në KiE: Kosova ka plotësuar detyrimet me Marrëveshjen Bazë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar të mërkurën se Kosova ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që të arrijë anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Duke komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se “Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023”.

Osmani ka thënë se çështja e Asociacionit nuk i kërkohet Kosovës para pranimit në KiE.

“Mos të harrojmë që për themelimin e tij është dhënë përkushtimi i plotë më 2013 nëpërmjet ratifikimit, por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, atë bazike të 27 shkurtit 2023. S’është përkushtim i marsit 2024, por i marrëveshjes bazike së vitit 2023 që është pranuar nga delegacioni i Kosovës dhe siç e dini të gjithë përfshin edhe detyrimin për themelimin e Asociacionit”, tha Osmani para gazetarëve.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Presidentja më tej shtoi se kërkesë e saja ka qenë që në letër të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses.

Osmani tutje u shpreh se shpreson që sot të miratohet raporti i Bakoyannisit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

“Raporti tashmë është pozitiv, përmbajtja e raportit rekomandon tashmë që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE me të drejta të barabarta. Ajo që do të ndodh sot është procedurë, është një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit që është ftuar që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Osmani.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Tutje presidentja Osmani u shpreh se nuk mund të paragjykojnë rezultatin sepse kjo është në vullnetin e deputetëve individual të shteteve që marrin pjesë sot në komitet.

“Kosova ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim. Nëse sot gjithçka kalon me sukses, atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nëse i marrim votat e nevojshme, aty rekomandohet anëtarësimi dhe ky rekomandim kalon në komitetin e ministrave për mbledhjen e muajit maj. Aty vendoset për anëtarësimin e plotë”, ka deklaruar Osmani.

Këto komente presidentja i bëri pas konferencës së organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Arkansasit, për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Rruga Press

YouTube player