Osmani: Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës, mirënjohëse ndaj SHBA-së
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me ftesë të Presidentit amerikan Joe Biden, përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, në Washington D.C.
Osmani me ftesë të Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C.
Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, presidentja Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Iniciativa Compact Ukraine, si aktivitet përmbyllës i Samitit të NATO-s, është pjesë e përkushtimit të NATO-s dhe partnerëve të saj për sigurinë afatgjate të Ukrainës. Kjo iniciativë e NATO-s, krijon një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë për t`i forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.
Në përfundim të Samitit, Presidentja Osmani ka biseduar me Presidentin Biden, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ka pasur mundësi të diskutojë edhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës.
Rruga Press