OSBE-ja dhe ShBA-ja dënojnë sulmin ndaj gazetarëve në veri të Kosovës
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të Klan Kosovës, në veri të Kosovës, duke thënë se këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Sipas OSBE-së, siguria dhe siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin ndaj ekipit të Klan Kosovës sot në Zubin Potok. Ky është sulmi i katërt kundër profesionistëve të medias, që raportojnë për ngjarjet në veri të Kosovës, që nga fillimi i dhjetorit. Këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Siguria dhe siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga aktet e dhunës” – thuhet në postimin e tyre në rrjetin social “Twitter”.
Sulmin e ka dënuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeff Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen AGK-së dhe BE-së për të dënuar ashpër sulmet e fundit në një seri sulmesh kundër gazetarëve kosovarë. Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime dhune dhe frikësimi. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është themeli i demokracisë” – ka shkruar ambasadori amerikan.
The United States joins @AGK_AJK and @EUKosovo in strongly condemning the latest in a series of attacks against Kosovan journalists. Media must be able to work free from threats of violence and intimidation. A free, independent press is the bedrock of democracy.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) December 26, 2022
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar sulmin e fundit ndaj gazetarëve në Zubin Potok, në veri të vendit, duke thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme.
Sipas BE-së, siguria e gazetarëve nuk duhet të rrezikohet.
“Ky dhe incidentet e mëparshme që e ndikojnë punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet” – thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së, e cila i dëshiroi shërim të shpejtë ekipit të gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka quajtur alarmante sulmin ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, në veriun e vendit.
Sot persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në fshatin Zupç të Zubin Potokut.
Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit në të cilën sot në fshatin Zupçe të Zubin Potokut, nga persona të dyshuar është sulmuar një ekip me gazetarë të televizionit Klan Kosova.
Barrikadat në veri të Kosovës janë ngritur që nga 10 dhjetori nga ata që konsiderohen si dora e zgjatur e Aleksander Vuçiqit në Kosovë.
Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR.
Rruga Press