Organizatat humanitare thirrje mjekëve: Bojkotoni paktin Rama-Meloni!
Pakti mes Melonit dhe Ramës për burgosjen e refugjatëve në Shqipëri merr një tjetër goditje nga organizatat humanitare që ofrojnë shërbime mjekësore për refugjatët dhe që i kanë bërë thirrje bluzave të bardha të mos përfshihen në të. Më shumë se dhjetë organizata ndërkombëtare mes të cilave “Mjekët pa Kufij”, “Emergjenca”, “Sea-ëatch”, “SOS Mediterranee” dhe grupe të tjera të ndihmës mjekësore kanë denoncuar shkelje të kodit të etikës mjekësore në procedurat që ndiqen për trajtimin e refugjatëve.
Organizatat humanitare, raporton AP publikuan një analizë të detajuar të procedurave të kontrollit të emigrantëve fillimisht në anijet detare italiane dhe më pas në kampet e izolimit në Shqipëri, ku parashikohet të ndahen refugjatët që janë të përshtatshëm për t’u burgosur në Shqipëri dhe ata që dërgohen në Itali.
Sipas këtyre organizatave nuk ka objekte apo instrumente të mjaftueshme për të bërë një përcaktim të tillë, pasi të gjithë ata që janë nisur drejt detit Mesdhe për të arritur në Itali kanë duruar abuzimin fizik dhe psikologjik, disa edhe seksual, ç’ka duhet t’i skualifikojë ata nga paraburgimi shqiptar.
Emigrantët duhet të diagnostikohen janë të rrezikuar nga çrregullimi i stresit post-traumatik ose pasoja të tjera të rënda fizike dhe mendore, thanë ata.
Grupet kritikuan organizatat ndërkombëtare që me sa duket po ndihmojnë në realizimin e projektit, si Organizatën Ndërkombëtare të Migracionit dhe trupat e shpëtimit italian të Kalorësve të Maltës si “bashkëpunëtorë” në shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Protokolli Itali-Shqipëri shkel kodin e etikës mjekësore dhe të drejtave të njeriut dhe vë në rrezik shëndetin fizik dhe psikologjik të emigrantëve”, thuhet në deklaratë.
Marrëveshja është bllokuar nga një sërë pengesash dhe sfidash ligjore që kanë pamundësuar që edhe një emigrant i vetëm të trajtohet në Shqipëri.
Së pari, ishin vonesat në ndërtim ato që penguan hapjen e qendrave për disa muaj. Më pas, dy grupet e para të refugjatëve që u sollën në Shqipëri u kthyen në Itali me vendim të gjykatave italiane.
Çështja do të shqyrtohet në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian në Luksemburg, së cilës i është kërkuar të vendosë mbi ligjshmërinë e saj.
Organizatat humanitare që ofrojnë shërbime mjekësore për refugjatët nuk janë të vetmet që distancohen nga pakti Meloni-Rama. Më herët Amnesty International Italia lëshoi një deklaratë për shtyp në të cilën përsëriti “shqetësimin e saj të fortë për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut në lidhje me masat e parashikuara në Protokoll”.
Organizata ECRE (Këshilli europian i refugjatëve dhe azilkërkuesve) paralajmëroi se ishte “e parashikueshme që modeli Itali-Shqipëri do të çonte gjithashtu në shkelje të të drejtave të njeriut si burgosje të plotë dhe mungesë sigurie ligjore”, duke shtuar: “Me modelin e Shqipërisë, qeveria italiane po anashkalon qëllimisht Ligji i BE-së dhe minimi i reformës së CEAS-it të miratuar së fundmi”.
Kur firmosi paktin me Melonin rreth një vit më parë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se shqiptarët janë në borxh me Italinë që i priti ata në eksodin e viteve 90.
“Qysh nga fillimi ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër të BE-së sepse ka një ndryshim, të madh dhe një ndryshim historiko-kulturor dhe gjithashtu edhe emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët.
Nuk besoj që ne nuk do të jemi në gjendje që në vitet që do vijnë për të parashikuar vitet që mund të kemi përpara për të paguar atë borxhin që kemi drejt Italisë, dhe popullit të Italisë, për atë që kanë bërë për ne, nga dita që kemi mbërritur në këtë anë të bregut. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet.”, tha ai.
Marrëveshja mori bekimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i “të menduarit ndryshe” në trajtimin e çështjes së emigracionit. Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo përbën një precedent të rrezikshëm dhe paraqet një shkelje të detyrimeve të Italisë sipas ligjit ndërkombëtar.
Edhe pse qendrat në Shëngjin dhe Gjadër u ndërtuan për të strehuar deri në 3 mijë emigrantë në muaj, vetëm 20 prej tyre u transferuan në dy udhëtimet e para të anijeve, vetëm për t’u dërguar në Itali pas ndërhyrjes së gjykatave të Romës. Italia parashikon të shpenzojë 670 milionë euro në 5 vjet për këtë projekt që duket se po shkon drejt dështimit.
Rruga Press