Organizatat dhe qytetarët në Tiranë i bëjnë thirrje ministrisë që të ndalin ndërhyrjet e pakontrolluara që dëmtojnë autenticitetin e Burgut të Spaçit
LETËR E HAPUR
Subjekti: Ndal ndërhyrjeve të pakontrolluara që dëmtojnë autenticitetin e Burgut të Spaçit
Drejtuar: Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,
Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore
Të nderuar përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,
Ne, organizatat dhe qytetarët e angazhuar në mbrojtjen e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore, shprehim shqetësimin e thellë lidhur me ndërhyrjet që po bëhen aktualisht në ambientet e ish-Burgut të Spaçit, një nga vendet më simbolike të dhunës politike gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Pamjet e publikuara së fundmi dhe informacionet në terren tregojnë se në zonën e mbrojtur po realizohen punime ndërtimi-mure me blloqe të reja dhe suvatime të objekteve që fshijnë gjurmët e kohës, duke rrezikuar rëndë autenticitetin e objektit. Këto ndërhyrje bien ndesh me dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve politikë në këtë burg dhe të dhënat arkivore të kohës.
Po ashtu ndërhyrjen bien ndesh dhe me vetë Planin e Menaxhimit të Spaçit, i cili në mënyrë të qartë thekson se: “Nuk do të merren masa për të rikthyer gjendjen e ndërtesave siç ishin në vitin 1991, por do të kryhet një aktivitet konservues që të dëshmojë këto tre dekada përpjekjesh të shoqërisë shqiptare për t’u përballur me të kaluarën e saj të dhimbshme.” (Plani i Menaxhimit, fq. 37). “ https://konsultimipublik.gov.al/…/RENJK_712_(Draft… ” Gjithashtu, në Aneksin E të planit, qartazi thuhet se ndërhyrjet konservuese duhet të jenë të natyrës “arkeologjike”, duke ruajtur rrënojat dhe strukturat ekzistuese në gjendjen që ndodhen, pa restaurime të plota ose rikonstruksione që mund të deformojnë kuptimin historik të vendit.
Aktualisht, ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës, duke rrezikuar shndërrimin e Spaçit nga një vend dëshmie të vuajtjeve, në një skenografi artificiale.
Për këtë arsye, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në objektin në fjalë, derisa të zhvillohet një verifikim profesional transparent, në bashkëpunim me aktorë të shoqërisë civile, ish-të përndjekur politikë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.
Spaçi nuk është thjesht një monument. Është vend i dhimbjes, i kujtesës, i rezistencës. Ai nuk mund të trajtohet si një kantier i zakonshëm ndërtimi apo si dekor për filma që i nënshtrohen estetikës dhe jo së vërtetës historike.
Ne besojmë se çdo ndërhyrje në Spaç duhet të bazohet në studime serioze historike dhe konservuese, dhe të realizohet vetëm në frymën e respektimit të kujtesës kolektive dhe dinjitetit të atyre që vuajtën aty.
Kjo letër nënshkruhet nga:
Organizata “Tek Bunkeri”
Bashkia Mirditë
Fondacioni “Kujto Albania”
Organizata “Qëndresa Qytetare”
Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë
Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Shkodër
Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Korçë
Qendra Art Kontakt
Shtëpia botuese Berk
Revista Fora
Qendra H.AN.A
Trivet
Institute for Democracy, Media and Culture
DebatikCenter of Contemporary Art
Shoqata Sebastia
Co-PLAN, Instituti per Zhvillimin e Habitatit
Zeta Contemporary Art Center
Grupi ATA
Drejtësi Sociale
GO2Albania_Organizate per Planifikim te Qendrueshem Urban
* Ftojmë të gjitha organizatat e tjera dhe aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore që t’i bashkohen këtij reagimi duke na kontaktuar në rrjetet sociale.
Bashkia MIRDITE-Faqja Zyrtare , kujto.al – Arkiva Online e Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit në Shqipëri , Qëndresa Qytetare , Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të Shqipërisë , Shoqata e te Perndjekurve Shkoder , Art Kontakt , Berk , HANA – Hand to hand Against Nation Apathy , IDMC-Instituti për Demokraci, Media & Kulturë , Debatikcenter of Contemporary Art , Qendra Rinore Sebastia , Co-PLAN Institute for Habitat Development , ZETA Contemporary Art Center , ATA , Drejtësi Sociale , Fora Magazine , GO2
Rruga Press

