Organizata Botërore e Shëndetësisë: Miliarda njerëz në rrezik ‘real’ nga nxehtësia ekstreme në vendin e punës
Një raport i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) paralajmëron se miliarda punëtorë në mbarë botën janë të ekspozuar ndaj rrezikut të nxehtësisë ekstreme në vendin e punës.
Raporti, i pari i dedikuar posaçërisht këtij fenomeni, thekson se punëdhënësit duhet të përshtaten me një “normalitet të ri” të valëve të të nxehtit, të cilat po bëhen më të shpeshta dhe më të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas gjetjeve, mbi 2.4 miliardë punëtorë – ose 71% e fuqisë punëtore botërore – përballen çdo ditë me temperatura të rrezikshme që rrisin rrezikun për goditje nga nxehtësia, dehidratim dhe sëmundje të rënda të veshkave. OBSH vlerëson se stresi i nxehtësisë në punë çon në mbi 22 milionë lëndime dhe rreth 19,000 vdekje çdo vit.
“Duhet të përballemi me të ardhmen e nxehtësisë ekstreme. Është një realitet për shumë njerëz. Një rast përshtatu ose vdis”, deklaroi Johan Stander nga WMO. Ekspertët nënvizojnë se masat mbrojtëse duhet të zbatohen jo vetëm nga qeveritë, por edhe në biznese, institucione dhe shkolla, ndërsa punëdhënësit kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurinë e kushteve të punës.
Drejtori i OBSH-së për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Migracionin, Rüdiger Krech, e cilësoi këtë situatë si “një krizë shëndetësore” dhe paralajmëroi se më të goditurit janë komunitetet më të brishta, të cilat kanë akses të kufizuar në ftohje, kujdes shëndetësor dhe politika mbrojtëse.
Këtë verë, Evropa Jugore ka përjetuar temperatura rekord që arritën deri në 40°C, duke shkaktuar zjarre shkatërruese në Spanjë, Portugali dhe Greqi. Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit nuk janë më një fenomen i përkohshëm, por një sfidë strukturore për shëndetin dhe ekonominë globale.
Rruga Press

