Orav: Ligji për të Huajt frymëzim për BE-në dhe dinamika të reja për Kosovë
Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka vlerësuar se zbatimi i Ligjit për të Huajt është frymëzim për vendet e BE-së dhe mund të nxisë dinamika të reja në procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se fillimi i zbatimit të Ligjit për të Huajt është cilësuar si frymëzim për shumë vende të Bashkimit Evropian për mënyrën se si duhet trajtuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE. Gjatë një takimi me gazetarë disa ditë para përfundimit të mandatit, Orav ka shtuar se shpreson të ketë dinamika të reja në këtë proces.
“Aplikacioni për anëtarësim të Kosovës në BE nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se, nga njëra anë, ekzistonin masa ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe nga ana tjetër ishte e vështirë që vendet anëtare të BE-së të fillonin procesin. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshje e 14 marsit i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si ta trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt,” ka deklaruar ai.
Megjithatë, pavarësisht lehtësirave të arritura në dakordimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ambasadori Orav ka thënë se “zbatimi i këtij ligji nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës”.
Sipas tij, vendimi për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për personat që punojnë në institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në veri ka mundësuar që të ofrohen listat e personave përkatës.
“Këto lista nuk kanë qenë të gatshme për t’u dhënë më herët. Tani edhe popullata në veri sheh që është e mundur të ecet përpara në zgjidhjen e çështjeve dhe nuk ka probleme,” ka thënë ambasadori i BE-së.
Integrimi i këtyre dy institucioneve, sipas Oravit, pritet të mundësohet përmes veprimeve të ndërmarra pas konsultimeve mes kryeministrit Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, pa shkaktuar çrregullime apo ndërprerje të shërbimeve.
Përveç ndikimit te komuniteti serb në veri, ambasadori Orav e ka cilësuar Ligjin për të Huajt edhe si një shembull sesi mund të ecet përpara në dialog dhe në normalizimin e raporteve Kosovë–Serbi.
Rruga Press

