KryesoreLajme

Opozita vijon bllokimin e Kuvendit të Shqipërisë, Berisha: Beteja do të vazhdojë! PS kërkon ndryshimin e ligjit për ngritjen e Komisioneve Hetimore

Këtë të hënë ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku edhe kësaj herë është përsëritur i njëjti skenar nga ish kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e opozitës.

Opozita ka vijuar me të njëjtën formë reagmi në seancë plenare me karrige të përmbysura dhe tymuese. Kësaj radhe spikati deputeti Flamur Noka i cili ndezi një tymuese duke penguar vijimin normal të seancës plenare. Seanca u pasua me përjashtimin e Nokës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila u shpreh se ish deputeti shkeli rëndë rregulloren e Kuvendit.

Beteja e përjavshme, opozita ‘ndeshet’ me gardistët, mazhoranca vijon fjalimet

Deputetët e opozitës Albana Vokshi dhe Flamur Noka u konfliktuan edhe me punonjësit e Gardës para Foltores teksa deputetët e mazhorancës vijonin fjalimet. Ndërkohë deputeti Gazment Bardhi dhe Edi Paloka kanë tentuar t’i mbyllin mikrofonin deputetit të PS-së, Petro Koçi duke e quajtur komunist, madje u shmang edhe një përplasje fizike mes Palokës dhe deputetit socialist.

Ndërkohë Sali Berisha në fjalën e tij për mediat u shpreh se Edi Rama e zgjodhi Taulant Ballën për të organizuar puçin kundër Kuvendit. Ndër të tjera ai shtoi se e ashtuquajtura betejë e opozitës, do të vijojë derisa mazhoranca të aprovojë kërkesat e tyre për ngritjen e tri Komisioneve Parlamentare të çështjeve me shumë rëndësi.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Për një Taulant Bego Yaris, taksapaguesit paguajnë sot një batalion për mbrojtjen e tij. Një person, i cili përveçse përjashton serial killerat, është shok me të gjithë vrasësit dhe trafikantët e tjerë në burgjet e Shqipërisë. Një person që mbante tre telefonë të kriptuar për të komunikuar me bandat dhe tani u rri si gjel oficerëve të policisë. Edi Rama kishte në projekt puçin dhe besoi se nëpërmjet tij dhe lidhjeve të tij me bandat, mund të mbajë puçin të organizuar kundër parlamentit. Komisionet janë forma e kontrollit mbi qeverinë. Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet sepse do nxjerrin në pah se sarajet e tij të Surrelit, janë të ndërtuara të gjitha mbi bazën e ryshfetit dhe favoreve që u ka dhënë firmave të ndërtimit. Ne jetojmë sot në një parlament të pushtuar, ku ministrat kanë dhjetëfishuar badigardët, ku gjykatësit dhe prokurorët kanë dhjetëfishuar badigardët. Ky çdo gjë mund të jetë, po vetëm parlament nuk është!”- tha Berisha.

Kërkesat e opozitës dhe pse janë rrëzuar nga socialistët

Deputetët e opozitës paraqitën kërkesë për ngritjen e tre komisioneve hetimore të cilat i arsyetuan si shumë të rëndësishëm. Faktikisht kanë të bëjnë me çështje të cilat kanë patur mjaft rëndësi në opinionin publik. Më konkretisht bëhet fjalë për ngritjen e një komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, një tjetër për Koncensionet në Shëndetësi dhe një për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Të treja kërkesat janë rrëzuar me argumentin se ‘pengojnë’ procesin hetimor.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Që prej këtij rrëzimi, të cilin opozita e sheh si antikushtetues, ata kanë protestuar në Kuvend duke i pamundësuar seancën, ndërsa së fundmi socialistët kanë propozuar ndryshime në ligjin për Komisionet Hetimore. Thënë ndryshe, socialistët kërkojnë të “tkurrin” mundësinë e ngritjes së tyre, duke përcaktuar kritere që do duhet të ketë një çështje në mënyrë që opozita mos të ketë tagrin të bëjë kërkesë për çdo çështje.

Tre nga nenet e draftit të propozuar nga socialistët për Komisionet Hetimore:

  • 1-Çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit
  • 2-Objekti I hetimit duhet të fokusohet në  çështje ose subjekte konkrete
  • 3-Duhet të ekzistojnë të dhëna apo indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes

YouTube player