Opozita shqiptare në protestë, Berisha u drejtohet protestuesve me video-mesazh: Kishin llogaritur një vend pa opozitë, por ne u bashkuam!
Sali Berisha është shfaqur në protestën e opozitës nëpërmjet një video mesazhi, ku adresoi mijëra mbështetës të PD-së dhe qytetarë që protestojnë kundër qeverisë.
Berisha tha se Shqipëria sot gjendet në një lloj diktature të re, të bazuar në lidhjet e qeverisë me krimin. Ai denoncoi kapjen e të gjithë pushteteve nga Edi Rama, duke e quajtur qeverisjen e tij “një sundim dhjetë vjeçar”. Berisha gjithashtu foli për shpopullimin e vendit dhe largimin masiv të shqiptarëve.
Ai tha se ka patur përpjekje të vazhdueshme për asgjësimin e opozitës në vend, por kjo nuk ka ndodhur dhe opozita është bashkuar.
“Fjala që po mbaj para jush ishte llogaritur të mos mbahej. Ky uragan që ka pushtuar Tiranën ishte llogaritur të mos ndodhte. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte. Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024 të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narko-shtet pa opozitë”, tha ai.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka marrë gjithashtu fjalën në protestën e opozitës.
Bardhi tha se kryeministri ka përdorur të gjitha mënyrat antidemokratike për të qëndruar në pushtet, por opozita do të rezistojë dhe të luftojë edhe pse kjo është një luftë e pabarabartë.
Kujtojmë se grupi i Bardhit në parlament, është bashkuar sëfundmi me atë të Berishës dhe aleatët e tjerë, duke u deklaruar si një bashkim i opozitës.
“Liria ka emrin e secilit prej jush sot në këtë shesh. Nuk dorëzohemi dhe nuk e falim lirinë tonë. Nuk e pranojmë demokracinë si fasadë.
Sot ne vërtet jemi në opozitë dhe kemi kaluar momente të vështira dhe ndonjëherë të padenja për të qenë në lartësinë tuaj, por kemi pasurinë më të madhe që mund të ketë një forcë opozitare, kemi kurajon, dinjitetin dhe dëshirën tuaj për të luftuar dhe vullnetin për të fituar. Ju mbani gjallë frymën e lirinë, frymëzoni qindra e mijëra shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë vendit. Sot të gjithë shqiptarët e ndershëm janë krah jush.
Jam krenarë që ja dolëm të bëjmë më të mirën për opozitën, Partinë Demokratike dhe shqiptarët.
Në këto dhjetë vite kemi provuar se e keqja e vendit ka emrin e kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama mbjell vetëm korrupsion, krim, pabarazi, shpopullim. Ai ka përdorur të gjithë metodat anti-demokratike për të qëndruar në pushtet. Ne nuk kemi frikë, dimë dhe duam të përballemi.
Kjo është luftë e pabarabartë, por ne nuk dorëzohemi!”, tha ndër të tjera Bardhi.
Rruga Press