BotaKryesore

Opozita në Gjeorgji vazhdon protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve

Opozita në Gjeorgji ka protestuar të mërkurën për ditën e katërt me radhë kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, të cilat partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pretendon se i fitoi, pavarësisht dyshimeve për manipulim të madh.

Opozita, e cila nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, ka katër ditë radhazi që proteston në Tbilisi, pasi partia e miqësuar me Moskën, Ëndrra Gjeorgjiane, tha se i fitoi 54 për qind të votave.

As presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ka pasur manipulime të mëdha dhe ndërhyrje nga Rusia.

Protesta në Tbilisi të mërkurën u mbajt pasi një gjykatë në qytetin qendror të Gorit, më 6 nëntor, e hodhi poshtë një kërkesë nga vëzhguesit e zgjedhjeve për anulimin e rezultateve në disa qendra votimi në qytet, ku u gjetën shkelje të fshehtësisë së votës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit.

Lexo më shumë  “Çështja është serioze”, thotë Zelensky ndërsa tregon numrin e kinezëve që po luftojnë për Rusinë në Ukrainë

Një koalicion i organizatave vëzhguese, i njohur si Zëri Im, paraqiti një kërkesë në gjykatën e Gorit kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar anulimin e rezultateve në 14 qendra votimi të qytetit ku ishin dokumentuar shkelje.

Zëri Im ka thënë se vëzhguesit e tij nga 1.131 qendra votimi raportuan më shumë se 900 raste të shkeljeve të procedurave zgjedhore.

Por, gjyqtarja Nino Gogatishvili e hodhi poshtë kërkesën gjatë një seance që zgjati pesë orë, duke nxitur përfaqësuesit e Zërit Tim të deklarojnë se do të ankohen ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, qindra njerëz u mblodhën pranë Gjykatës së Apelit, ku po dorëzohen ankesat ndaj vendimeve të gjykatave më të ulëta që kanë refuzuar kërkesat për anulimin e votave për shkak të manipulimit.

Lexo më shumë  Albin Kurti nuk ka bë asgjë më shumë sesa në fytyrë ua ka përplasur të vërtetën që ata nuk duan ta dëgjojnë. Veç nëse ndjehen të ofenduar nga faktet!

Udhëheqësit e opozitës nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancat e Gjykatës së Apelit, gjë që i nxiti ata të protestonin pranë ndërtesës.

Në Tetritskaro, gjyqtari Vladimir Kuchua vendosi në favor të ankesës së ngritur nga një grup qytetar, i quajtur Shoqata e Avokatëve të Rinj, duke e anuluar rezultatin në 30 qendra votimi, bazuar në provat e paraqitura nga grupi.

KQZ e sfidoi vendimin e tij, duke e cilësuar të pabazuara, dhe kjo e nxiti opozitën t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

Kuchua është vlerësuar nga opozita si një gjyqtar i rrallë dhe i guximshëm që i kundërvihet Ëndrrës Gjeorgjiane, e cila është në pushtet që nga viti 2012.

Nika Melia, një nga liderët e Koalicionit për Ndryshim, ka thënë se demonstratat do të vazhdojnë në kërkim të zgjedhjeve të reja./REL

YouTube player
sqhrenfrdeit