Opozita i thotë “jo” Hekuran Muratit për kryetar Kuvendi – bllokohet kandidatura e ministrit më të suksesshëm të Financave të Kosovës
Në seancën e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje propozoi emrin e ministrit të Financave, Hekuran Murati. Pavarësisht reputacionit të tij si reformues dhe menaxheri më i suksesshëm i financave publike që ka pasur Kosova në historinë e saj shtetërore, kandidatura e tij u rrëzua nga votat e opozitës.
Rezultati i votimit foli qartë: 57 deputetë pro, 52 kundër, ndërsa 6 abstenuan. Ky epilog i ngushtë bëri që Murati të mos marrë postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca u ndërpre për të vazhduar më 24 gusht.
Hekuran Murati, i njohur për menaxhimin e krizave ekonomike, rritjen e transparencës buxhetore dhe disiplinimin fiskal, cilësohet si ministri më i suksesshëm që ka pasur Kosova. Megjithatë, edhe ky profil nuk mjaftoi që opozita t’i jepte votën, duke e kthyer procesin në një bllokim të pastër institucional.
Vendimi për të bllokuar kandidaturën e tij shihet si shenjë e frikës nga ndikimi i një figure që ka krijuar kredibilitet të padiskutueshëm tek qytetarët. Në vend të bashkëpunimit për një emër që përfaqëson stabilitet dhe profesionalizëm, opozita zgjodhi rrugën e kundërshtimit.
Çfarë mesazhi po i dërgohet opinionit publik?
Dështimi i votimit ngre një pyetje të madhe: a është kundërshtimi i opozitës ndaj Vetëvendosjes, apo personalisht ndaj Hekuran Muratit? Në të dyja rastet, qytetarëve u jepet mesazhi se llogaritë politike kanë përparësi ndaj interesit të stabilitetit institucional.
Seanca e 24 gushtit pritet të tregojë nëse opozita do të mbetet në të njëjtin qëndrim, apo do të lejojë që një figurë me rekorde suksesi të marrë drejtimin e Kuvendit.
Rruga Press

