Operacioni “Milioni”, publikohen pamje nga arrestimi i 6 personave që përfituan një milion euro nga fajdet
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në kuadër të luftës kundër veprimtarive kriminale, ka realizuar me sukses operacionin policor “Milioni” në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Operacioni është zhvilluar më 31 tetor 2024, në Prizren dhe Suharekë, dhe ka shtrirë aktivitetin e tij në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar.
Gjatë zbatimit të këtij operacioni, policia ka realizuar urdhër-kontrollin e gjykatës dhe ka sekuestruar një sërë provash.
“Në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, si dhe dokumentacione të rëndësishme, përfshirë kontrata dhe para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale si dhe janë bllokuar llogaritë baknare të personave të dyshuar” njoftuan autoritetet.
Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë.
“Të dyshuarit kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimave,” u theksua në njoftimin për media.
Vlera e shumave të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, përfshirë prona të paluajtshme dhe të luajtshme, kalon shumën mbi 1 milion euro.
Pas intervistimit, të dyshuarit do të ndalohen për 48 orë me aktvendim të prokurorit nga PTh-Prizren.
Më poshtë gjeni pamjet e këtij aksioni.