Operacion ndikimi: një faqe e rreme informacioni uzurpon identitetet e gazetarëve të France 24
Një fushatë e re dezinformimi ka shpërthyer kundër Armenisë, duke shënjestruar kryeministrin Nikol Pashinyan dhe bashkëshorten e tij, Anna Hakobyan. Sipas Intelligence Online, gjashtë gazetarë të France 24 kanë parë emrat e tyre të përdoren në mënyrë të rreme nga një faqe lajmesh e quajtur EuLeaks, e cila ka publikuar një “artikull investigativ” për një skandal të rremë financiar.
Artikulli pretendonte se Hakobyan kishte shpërdoruar mbi 3 milionë euro nga fondacioni City of Smile. Shkrimi mbante firmën e gazetarit të France 24 James Creedon, por televizioni francez ka konfirmuar se asnjë prej gazetarëve të tij nuk ka kontribuar ndonjëherë për EuLeaks.
Dyshimet për Moskën dhe Bakun
France 24 kujton se gazetarët e saj janë shpesh objekt i fushatave të dezinformimit pro-ruse, edhe pse për momentin nuk ka prova direkte për përfshirjen e Moskës apo Bakusë. Një rast i ngjashëm u regjistrua më 8 korrik, kur një faqe e rreme pretendonte se Franca po dërgonte fshehurazi mbetje bërthamore në Armeni, lajm i përhapur më pas nga llogari pro-ruse dhe pro-azerbajxhanase.
Një domain me histori
Në fakt, EuLeaks nuk është një faqe krejt e re: domain-i i saj i përkiste dikur grupit të Gjelbërve në Parlamentin Europian, që në vitin 2016 nisën një platformë për denoncuesit pas skandalit LuxLeaks. Ajo u mbyll në fund të vitit 2017, por emri u rible në gusht 2025 për t’u kthyer në një faqe të rreme informacioni – një strategji që synon të mashtrojë publikun mbi besueshmërinë e saj.
Rruga Press

