Bota

OKB miraton planin amerikan për Gazën: Parashihet vendosja e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar planin për Gazën të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas rezolutës së miratuar, në territorin e Gazës do të vendoset një Forcë Ndërkombëtare e Stabilitetit, e cila do të ketë mandat të sigurojë rendin dhe të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të rajonit. Po ashtu, pritet të formohet edhe një Këshill i Paqes në Gaza, që do të marrë përsipër menaxhimin e përkohshëm të zonës.

Lexo më shumë  BE-ja arrin marrëveshje për të hequr gradualisht importet e gazit rus deri në vitin 2027

Plani i paraqitur është në përputhje me dokumentin 20-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump.

Në votim, dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia, abstenuan.

Reagimi i Hamasit

Hamas ka kundërshtuar fort vendimin e OKB-së, duke e cilësuar rezolutën si “vendosje të një forme ndërkombëtare të kujdestarisë mbi Gazën”.

Në reagimin e publikuar, Hamas tha se dërgimi i një force ndërkombëtare në territor “e heq çdo mundësi të neutralitetit dhe e shndërron atë në palë të konfliktit në krah të Izraelit”.

Lëvizja theksoi gjithashtu se “çdo formë rezistence ndaj Izraelit është legjitime” dhe se nuk do të dorëzojë armët.

Çfarë parashikon misioni i ri ndërkombëtar?

Forca Ndërkombëtare e Stabilitetit pritet të vendoset përgjatë vijës kufitare të Gazës dhe të kryejë:

  • Sigurimin e zonës
  • Mbikëqyrjen e tranzicionit të administrimit
  • Heqjen e armëve dhe çmilitarizimin e disa zonave

Misioni ndërkombëtar do të funksionojë paralelisht me Këshillin e Paqes në Gaza, i cili do të menaxhojë administrimin e përkohshëm deri në krijimin e një strukture të re politike në territor.

Rruga Press

YouTube player