Bota

OKB-ja kërkon hetim për vdekjen e qindra palestinezëve që po prisnin për ndihma

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka thënë të enjten se vrasja e mbi 100 personave, sa kanë qenë duke pritur për ndihmë humanitare në Gazë, është situatë për të cilën mund të kërkohet hetim i pavarur.

Duke folur në nisje të një samiti, ai ka thënë se është i “shokuar” nga episodi i fundit në luftën izrael-Hamas, në të cilën, sipas autoriteteve palestineze janë vrarë mbi 30.000 civilë, prej 7 tetorit të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur po atë ditë prej luftëtarëve të Hamasit, të cilët kanë kryer sulme në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin – grup palestinez që udhëheq Gazën, i cili është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Duke iu përgjigjur pyetjeve për dështimin e Këshillit të Sigurimit për të miratuar një rezolutë që bën thirrje për armëpushim, Guterres ka thënë se thellimi i ndasive gjeopolitike “e ka transportuar fuqinë e vetos në një instrument efektiv për paralizë të Këshillit të Sigurimit”.

“Jam krejtësisht i bindur që neve na duhet një armëpushim humanitar dhe neve na duhet lirim i menjëhershëm i pengjeve, dhe që neve na duhet një Këshill i Sigurimit që mund t’i arrijë këto objektiva”, ka thënë Guterres.

Sipas autoriteteve palestineze, forcat izraelite kanë shtënë me armë zjarri ndaj më shumë se 100 palestinezëve.

Të paktën 112 persona janë vrarë dhe mbi 280 janë plagosur në incidentin në qytetin e Gazës, sipas autoriteteve.

Hamasi ka thënë se diçka e tillë mund t’i rrezikojë bisedimet në Katar, me qëllim të arritjes së një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve. I pyetur nëse beson që ky incident mund t’i komplikojë bisedimet, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “e di që po”.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Mjekët në Gazë kanë thënë që nuk kanë mundur të përballojnë valën e njerëzve të plagosur.

Ushtria izraelite i ka hedhur poshtë akuzat e Hamasit, dhe ka thënë se ka pasur kamionë që kanë qenë duke operuar nga kontraktorë privatë, në kuadër të operacionit për ofrim të ndihmës aq të nevojshme.

Sipas një ushtari, në atë zonë kanë qenë dy incidente dhe në njërin prej tyre, turma u është afruar ushtarëve, dhe ata janë ndjerë të rrezikuar, prandaj kanë nisur sulmet me armë zjarri, duke vrarë një numër njerëzish.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se është duke kërkuar urgjentisht informacion për incidentin, ashtu sikurse Ministria e Jashtme e Francës.

Rruga Press

YouTube player