OKB-ja i bën thirrje Izraelit që t’i ndalë sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve
Zyra e të drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OKB), u ka bërë thirrje forcave të sigurisë të Izraelit për të përfunduar menjëherë pjesëmarrjen e tyre aktive dhe mbështetjen për sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Deklarata e lëshuar të martën vjen pas një vale të sulmeve të kolonëve në qytetet dhe fshatrat palestineze në Bregun Perëndimor, të shkaktuar nga vrasja e një djali 14-vjeçar izraelit, në atë që autoritetet thonë se ishte një sulm militant, raporton AP.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se shtatë palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite, ose nga kolonët, që kur kanë nisur sulmet të premten, dhe 75 të tjerë janë plagosur.
Autoritetet izraelite kanë kërkuar nga njerëzit për të mos u drejtuar në sulme ndërsa tensionet rriten.
Por grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar prej kohësh forcat izraelite se kanë injoruar në mënyrë rutinore sulmet e kolonëve ose madje kanë marrë pjesë në to.
Tensionet në rajon janë rritur që nga lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që ka nisur më 7 tetor, kur Hamasi dhe xhihadistët islamikë, dy grupe militante të mbështetura nga Irani, kanë kryer një sulm në jug të Izraelit që la të vdekur 1,200 persona, derisa më shumë se 250 ishin marrë peng.
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme të vazhdueshme në Gaza, që kanë shkaktuar shkatërrim dhe vrasjen e më shume se 33,800 njerëzve, sipas të dhënave shëndetësore lokale.
Liderët botërorë kanë kërkuar nga Izraeli që të mos hakmerret pas lëshimit nga Irani të qindra dronëve, raketave balistike dhe raketave lundruese gjatë fundjavës, në një mision hakmarrës të paprecedentë që e dërgoi Lindjen e Mesme më afër një lufte rajonale.
Sulmi iranian ka ndodhur më pak se dy javë pas një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e Iranit në Siri, që la të vdekur dy gjeneralë iranianë.
Rruga Press