OKB: Irani po përdor dronë dhe aplikacione për t’i kapur gratë pa hixhabe
Sipas një raporti të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara të premten, Republika Islamike e Iranit është duke përdorur dronë, sisteme të identifikimit, dhe një aplikacion mobil për t’u siguruar se ligji i mbulesës për gratë po zbatohet, shkruan CNN.
Raporti ka theksuar rritjen e varësisë së Iranit nga teknologjia për të monitoruar dhe ndëshkuar gratë që shkelin kodin e detyrueshëm të veshjes. Pjesë qendrore e kësaj fushate është aplikacioni mobil “Nazer”, një instrument i mbështetur nga qeveria iraniane që u mundëson qytetarëve dhe policisë të raportojnë gratë për shkeljet e dyshuara.
Autorët e raportit e akuzojnë Iranin për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit, të cilat veçanërisht shënjestrojnë gratë dhe vajzat.
Sipas raportit, aplikacioni mobil “Nazer” u mundëson përdoruesve të ngarkojnë targën e automjetit, vendndodhjen dhe kohën kur një grua nuk po mban mbulesën. Aplikacioni pastaj shënjon automjetin në mënyrë elektronike, duke e njoftuar më pastaj policinë, thuhet në raport.
Autoritetet gjithashtu kanë lëshuar dronë mbi Teheran dhe në jug të vendit për të mbikëqyrur hapësirat publike dhe “për të monitoruar zbatueshmërinë e ligjit,” kanë zbuluar hetuesit.
Rruga Press