Lajme

ODIHR: Keqpërdorimi i burimeve administrative problem shqetësues për zgjedhjet parlamentare 2021 në Shqipëri

Zgjedhje të qeta dhe transparente me keqpërdorim burimesh administrative nga PS-ja – thotë ODHIR në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare 2021 në Shqipëri.

Raporti përfundimtar i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan më 25 prill 2021 në Shqipëri përmban aspekte pozitive, mangësi në procesin zgjedhor si edhe rekomandime për t’u zbatuar nga autoritetet e Shqipërisë.

Zgjedhje të qeta, transparente, votë e fshehtë

Raporti e vlerëson procesin e votimit më 25 prill 2021 si ” të qetë, transparent dhe me fshehtësinë e votës, kryesisht të respektuar”. Pjesëmarrja e zgjedhësve në votim ishte 46,3 përqind, thekson raporti në fjalë. Numri i votuesve të regjistruar për zgjedhjet parlamentare 2021 ishte 3,5 milion vetë, duke përfshirë edhe ata që banojnë jashtë Shqipërisë.

Partia në pushtet keqpërdori burimet administrative

Ashtu si edhe në raportin paraprak, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve apo në intervistën ekskluzive për DW të Drejtueses së Misionit të OSBE / ODIHR-it, ambasadores Urszula Gacek, pas ditës së zgjedhjeve, dhe në raportin përfundimtar cilësohet si problem shqetësues keqpërdorimi i burimeve administrative.

“Partia në pushtet pati avantazh domethënëssi nga kontrolli prej saj i administratave lokale ashtu edhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative, ” theksohet në raportin përfundimtar.

Raporti vë në dukje që “pavarësisht strukturës së fuqishme ligjore për të ndaluar keqpërdorimin e burimeve administrative dhe pamundësuar përdorimin e posteve, ministrat bënë fushatë gjatë angazhimeve të tyre zyrtare. Presioni ndaj nëpunësve civilë ishte shqetësues. Publiciteti për ngjarjet zyrtare i dha partisë në pushtet një avantazh domethënës.” konstaton raporti.

Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it ka vënë në dukje edhe qëndrimin e Presidentit Ilir Meta, kur raporton se ” Presidenti bëri fushatë, në mënyrë zyrtare, kundër partisë në pushtet.”

Lexo më shumë  Kurti: Shqiptarët në shtetet fqinje meritojnë vëmendje më të madhe

Shit-blerja e votës mbetet shqetësim

Raporti konstaton që “pretendimet për shit-blerjene votës nga partitë politike ishin të përhapura gjatë fushatës, gjë që ka çuar në hapjen e një numri hetimesh. Praktikat e përhapura për blerjen e votës, si pretendohet nga partitë politike mbetet shqetësim.”

Shit-blerja e votës është një problem kronik ne proceset zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri në 25 vitet e fundit.

Presion ndaj medias

Gazetarët mbeten të prekshëm nga presioni dhe korrupsioni, vëren raporti. “Pavarësia editoriale ndikohet në mënyrë negative nga interesat e pronarëve të medias, gjë që shkakton autocensurë tek gazetarët. Gazetarët mbeten të prekshëm nga korrupsioni dhe presionet. Rregullatorët që drejtojnë mbulimin mediatik të fushatës ngushtuan aksesin në media të partive të vogla dhe të kandidatëve të pavarur për deputetë.

Kanalet televizve nuk patën mbulim të thellë dhe analitik të gjithë pjesëmarrësve në garë. Kjo, e kombinuar me materialet e prodhuara nga partitë për edicionet e lajmeve, solli mundësi të kufizuara të votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. Për fat të keq, nuk u organizua asnjë debat televiziv midis udhëheqësve politikë.” thekson raporti.

Rrjedhja e informacionit për të dhënat personale

Raporti konstaton që për rreth 900 mijë qytetarë të Shqipërisë, para zhvillimit të votimit, pati rrjedhje informacioni lidhur me të dhënat e tyre të ndjeshme “duke përfshirë edhe preferencat e tyre politike, që rrodhën para zgjedhjeve, përbëjnë një shqetësim serioz, pasi i bënë votuesit të prekshëm nga presioni” vëren raporti.

Rekomandime për t’u plotësuar

Raporti ofron një serë rekomandimesh që duhet të plotësohen nga autoritetet, që zgjedhjet parlamentare 2025 në Shqipëri të jenë “në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”.

Lexo më shumë  Bie propaganda e Ramës për “rritjen” e pagës mesatare, Shqipëria e fundit në rajon

Në krye të tyre qëndron “rishikimi i kuadrit logjor për të adresuar rekomandimet e paplotësuara te ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, përmes një konsultimi të hapur dhe githëpërfshirës. “Prezantimi i ndryshimeve ligjore duhet bërë shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare” rekomandon OSBE/ODIHR-i.

Rekomandimi tjetër ka të bëjë me garantimin e të drejtës për zgjedhje të lirë dhe vote të fshehtë si edhe me parandalimin e presioneve “për të zbuluar nëse dhe sesi votuan zgjedhësit.”

Lidhur me shit-blerjen e votës, rekomandohet të “intensifikohen përpjekjet për të identifikuar dhe ndjekur penalisht raste e tilla si edhe për të inkurajuar qytetarët që t’i raportojnë ato dhe siguruojnë prova për shit-blerjen e votës ose presioneve.”

Situata e medias në Shqipëri ka sjellë edhe rekomandimin përkatës që ka të bëjë me “ndryshimin e legjislacionit, për të siguruar që media të jetë në gjendjë të mbulojë në mënyrë të pavarur aktivitetet zgjedhore dhe të kufizojë përdrimin në edicionet e lajmeve të materialeve të prodhuara në zyrat e partive.”

Lidhur me me të dhënat personale, në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it nga vëzhgimi i Zgjedhjeve Parlamentare 2021 në Shqipëri rekomandohet që të sigurohen “të dhënat personale të qytetarëve dhe të bëhet hetimi dhe ndjekja e plotë ligjore për cdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.”

Në Misionin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet palamentare 2021 në Shqipëri u angazhuan përfaqësues nga 57 vende, anëtare të OSBE-së./DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *