OBSH: Rreth 13 mijë viktima nga COVID-19 në Shqipëri
Në Shqipëri ka katërfish më shumë viktima prej Covid-19 sesa janë raportuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rezultojnë afro 13 mijë njerëz të vdekur në dy vite pandemi në Shqipëri si shkak i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i COVID-19.
Ministria e shëndetësisë për periudhën e analizuar nga OBSH 1 janar 2020- 31 dhjetor 2021 ka raportuar 3 217 vdekje nga Covid-19. Në rajon, pas Serbisë, Shqipëria ka më shumë viktima të pa raportuara apo numëruara të Covid-19.
Në mbarë botën pandemia e Covid-it ka shkaktuar vdekjen e afro 15 milionë njerëzve, thuajse trefish më shumë sesa shifrat e raportuara nga shtetet.
OBSH beson se shumë vende nuk kanë numëruar të vdekurit nga Covid – pasi vetëm 5.4 milionë u raportuan.
Vdekshmëria e tepërt përfshin vdekjet që i atribuohen drejtpërdrejt COVID-19 të raportuara nga secili shtet si dhe vdekjet që nuk janë numëruar apo raportuar nga vendet.
Në këto shifra përfshihen edhe vdekjet e lidhura indirekt me COVID-19, për shkak të shkaqeve dhe sëmundjeve të tjera, si rezultat i ndikimit të pandemisë në sistemet shëndetësore.
Rruga Press