OBSH: Numri i viktima nga COVID-19 është ulur me 10% këtë javë
Pothuajse 3.8 milionë njerëz në mbarë botën u infektuan me Covid-19 javën që kaloi dhe më shumë se 47 mijë persona ndërruan jetë.
Lajmi është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila bëri me dije se numri i rasteve të reja me COVID mbetet i pandryshuar krahasuar me javën që kaloi, por numri i viktimave është ulur me 10 për qind.
“Në përgjithësi, numri i të infektuarve me koronavirus mbetet i pandryshuar këtë javë, me gati 3.8 milionë raste të reja”, tregohet në buletinin epidemik të OBSH-së.
“Në të njëjtën kohë, numri i viktimave për shtatë ditët e fundit është ulur me 10% krahasuar me javën e kaluar, ku raportohet për 47.5 mijë viktima”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Evropa zë 70% të rasteve të reja me COVID në javë dhe 61% të numrit të viktimave; duke shënuar një rritje prej 7% të infektimeve dhe një ulje prej 2% të shkallës së vdekshmërisë.
Një rritje e ndjeshme e numrit të të infektuarve u regjistrua në Afrikë me 93% dhe në Paqësorin Perëndimor me 24%. Në të njëjtën kohë, dukshëm më pak të infektuar u raportuan javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara me 24% dhe Azinë Juglindore më 11%. Numri i viktimave u rrit në Azinë Juglindore me 26% dhe Afrikë me 7%, por u ul në Amerikë me 36% dhe Mesdheun Lindor me 8%.
Referuar të dhënave të OBSH-së, duke filluar nga data 22 deri më 28 nëntor, në të gjithë botën janë identifikuar 3.799.878 persona të infektuar me Covid-19 dhe janë shënuar 47 mijë e 524 viktima.
SHBA-të raportojnë numrin më të lartë të personave të infektuar me COVID në një javë, duke kapur shifrën 464.800. Pas tyre vjen Gjermania me 406.754, Britania e Madhe me 304.373, Rusia me 239.215 dhe Franca me 190.402.
“Lloji Delta, i cili vazhdon të dominojë botën është identifikuar në 99.8% të analizave të kryera gjatë dy muajve të fundit”, tregon OBSH.
Sa i përket versionit të ri Omicron, thotë OBSH, është raportuar në një numër të kufizuar vendesh. Afrika e Jugut, e cila është epiqendra e përhapjes së këtij mutacioni; “kohët e fundit ka vënë re një shtim të rasteve në disa provinca të vendit”.
Deri me datë 30 nëntor, janë shënuar 261.435.768 raste të reja me COVID dhe 5.207.634 viktima në të gjithë botën që nga fillimi i pandemisë.
Numri i personave të infektuar është rritur në 24 orët e fundit me 398.754, ndërsa numri i viktimave ka kapur shifrën 5 mijë e 901.
Shumica e rasteve të konfirmuara me COVID, sipas të dhënave të OBSH-së, janë regjistruar në SHBA me 47.945.945, ndjekur nga India me 34.587.822 dhe Brazili me 22.080.906.
Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Shtetet e Bashkuara, duke kapur shifrën e 773.083, ndërsa vendin e dytë e mban Brazili me 614.278 dhe pasohet nga India me 468.980.
Rruga Press