OBSH e alarmuar nga numri i lartë i rasteve të etheve tropikale
Numri i rasteve të etheve tropikale në mbarë botën është rritur gjatë pesë viteve të fundit, me një situatë veçanërisht alarmante këtë vit në kontinentin amerikan, sipas një raporti të ri të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas raportit, më shumë se shtatë milionë raste të etheve tropikale janë raportuar në Amerikë që nga prilli i këtij viti, duke tejkaluar ndjeshëm 4,5 milionë rastet e raportuara në të gjithë vitin 2023.
“Duke pasur parasysh shkallën aktuale të shpërthimeve, rrezikun e mundshëm të përhapjes së mëtejshme ndërkombëtare dhe kompleksitetin e faktorëve që ndikojnë në transmetim, rreziku i përgjithshëm global vlerësohet ende si i lartë dhe për këtë arsye ethet tropikale mbeten një kërcënim global për shëndetin publik”, thuhet në raportin e OBSH-së.
Ethet tropikale janë një sëmundje virale kërcënuese për jetën e përhapur nga mushkonjat në rajonet tropikale dhe subtropikale.
Deri në fund të prillit, OBSH kishte marrë raporte për 7,6 milionë raste nga 90 vende, duke përfshirë pjesë të Evropës Jugore.
Sipas OBSH-së, më shumë se 16 000 nga këto raste rezultuan në sëmundje të rënda dhe 3 000 ishin fatale, shkruan atsh.Disa njerëz nuk shfaqin simptoma, ndërsa në raste të rënda dengoja mund të shkaktojë gjakderdhje të rëndë dhe dëmtim të organeve.
Rruga Press