BotaKryesore

NY Times: Rrethimi i SHBA-së shtyn Venezuelën drejt kolapsit ekonomik e krizës së urisë

Edhe përpara se forcat amerikane të hynin me forcë në kryeqytetin e Venezuelës dhe të kapnin presidentin Nicolás Maduro të shtunën, vendi po përballej me një perspektivë ekonomike dramatike.

Bllokada e pjesshme e vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj eksporteve energjetike të Venezuelës pritej të mbyllte më shumë se 70 për qind të prodhimit të naftës këtë vit dhe të zhdukte burimin kryesor të të ardhurave publike të shtetit, sipas projeksioneve të brendshme të përpiluara në dhjetor dhe të njohura nga burime pranë qeverisë venezuelase.

Vendimi i administratës Trump muajin e kaluar për të goditur anijet që transportonin naftë venezuelase drejt tregjeve aziatike kishte paralizuar eksportet e kompanisë shtetërore të naftës. Për të mbajtur prodhimin në funksion, PDVSA (kompania shtetërore e naftës) kishte nisur të devijonte naftën drejt rezervuarëve të brendshëm dhe të përdorte cisternat e ankoruara në porte si depo lundruese.

Kjo strategji thjesht i dha pak kohë kompanisë, përpara se të mbusheshin të gjitha kapacitetet e magazinimit. Sipas kompanisë së të dhënave detare TankerTrackers, Venezuela kishte hapësirë të mjaftueshme magazinimi vetëm deri në fund të janarit.

Pas këtij momenti, prodhimi pritej të shembej me shpejtësi.

Nëse bllokada do të vazhdonte, qeveria venezuelase parashikonte që prodhimi i naftës të binte nga rreth 1.2 milion fuçi në ditë në fund të vitit të kaluar, në më pak se 300 mijë fuçi në ditë më vonë gjatë këtij viti, një rënie që do të kufizonte ndjeshëm aftësinë e shtetit për të importuar mallra dhe për të garantuar shërbimet bazë.

Lexo më shumë  Si e pushtoi krimi i organizuar shqiptar tregun evropian të kokainës

Kapja e Nicolás Maduro-s vetëm sa e ka shtuar pasigurinë mbi këto projeksione.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të dielën se anijet e naftës të sanksionuara nga SHBA do të vazhdojnë të bllokohen derisa Venezuela të hapë industrinë e saj shtetërore të naftës për investime të huaja, duke lënë të kuptohet se përparësi do t’u jepet kompanive amerikane.

Sipas Rubios, kjo bllokadë përbën një mjet presioni të fuqishëm, që do të mbetet në fuqi derisa të shihen ndryshime reale, si në interes të SHBA-së, ashtu edhe për një të ardhme më të mirë për popullin venezuelian.

Megjithatë, qeveria e përkohshme e Venezuelës duket se po teston seriozitetin e këtyre kërcënimeve. Të paktën 16 anije cisterna nafte të goditura nga sanksionet amerikane dyshohet se kanë tentuar të shmangin bllokadën që prej së shtunës, duke fshehur pozicionin e tyre real ose duke fikur sistemet e transmetimit.

Nëse këto anije arrijnë të eksportojnë naftën, industria mund të fitojë pak kohë për t’u përshtatur me realitetin e ri. Por nëse bllokada qëndron, vendi rrezikon një katastrofë ekonomike.

Lexo më shumë  Sigurimi i makinës, çmimi këtë vit rritet me 15% për ata që kanë shkaktuar dëme në Shqipëri

Në skenarin më ekstrem të shqyrtuar nga autoritetet venezuelase, prodhimi i naftës këtë vit do të kufizohej vetëm në fushat që operohen nga kompania amerikane Chevron, e vetmja kompani që gëzon leje të posaçme nga administrata Trump për të operuar në Venezuelë dhe e vetmja që ka vijuar eksportet pas nisjes së bllokadës më 11 dhjetor.

Ky skenar do ta detyronte PDVSA-n, punëdhënësin më të madh të vendit, të nxirrte në leje të detyruar dhjetëra mijëra punëtorë dhe të shkurtonte rrogat e tyre.

Pas disa viteve të rimëkëmbjes së lehtë pas hiperinflacionit dhe mungesave ushqimore që shtynë miliona venezuelianë të largoheshin nga vendi, ekonomia e Venezuelës rrezikon sërish kolaps. Presioni ekonomik i administratës Trump ka frenuar çdo shenjë përmirësimi dhe po e shtyn vendin drejt një krize të re të thellë.

Eksportet e naftës përbëjnë rreth 40 për qind të të ardhurave publike të Venezuelës, por ndikimi real është edhe më i madh, pasi pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik financohet drejtpërdrejt nga të ardhurat e naftës.

Sipas ekonomistëve, nëse të ardhurat nga nafta shemben, pasojat do të bien kryesisht mbi popullsinë.

“Do të shohim një recesion masiv,” paralajmëron ekonomisti Francisco Rodríguez. “Rezultati do të jetë ose uri, ose emigrim masiv.” 

Rruga Press

YouTube player