Nuk shlyhet me gomë kujtesa e popullit
Shkruan Lirim Gashi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjatë fushatave zgjedhore e kanë akuzuar njëra-tjetrën me fjalët më të rënda për veprat më të rënda.
Ato e kanë akuzuar njëra-tjetrën për tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore, për krim të organizuar dhe korrupsion, për vrasje të kundërshtarëve politikë, për kapje të shtetit, për plaçkitje, të tenderëve, të fondeve vullnetare dhe atyre zhvillimore, për vjedhje të buxhetit të shtetit, rezervave shtetërore dhe thesarit të shtetit, për punësime partiake e nepotike, për privatizim mafioz, për zhvatje të kompanive dhe aseteve shtetërore, për shkatërrimin e shëndetësisë dhe arsimit, e kështu me radhë —
Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve, kanë vrapuar në përqafimin e njëra-tjetrës, sepse në të gjitha këto krime të tmerrshme kanë bashkëpunuar tërë kohën ngushtë mes vete.
Ndaj nuk mund t’i rezistonin lakmisë për ta vazhduar atë lloj bashkëpunimi mafioz dhe tradhtar, nga i cili 100 njerëzit e parë në hierarkitë e tyre partiake janë bërë milionerë të shumëfishtë, ndërsa krerët e partive miliarderë.
Në të njëjtën mënyrë kanë bashkëpunuar edhe me Listën Serbe, sepse në fakt nuk kanë asnjë kriter tjetër bashkëpunimi përveç atyre mafioze dhe tradhtare.
Që në përkthim në gjuhën e kuptueshme për popullin do të thotë:
Sa më shumë qëllime dhe synime mafioze e tradhtare, aq më e fortë baza për bashkëpunim mes tyre.
Ndërsa gazetarët dhe analistët që vazhdimisht bëjnë thirrje për rikthimin në pushtet të këtyre partive mafioze shqiptare dhe të Listes Terroriste Serbe, kanë harruar shpejt se në kohën e keqqeverisjes së tyre, kolegët e tyre i hante errësira dhe heshtja.
E tani refuzojnë bashkëpunimin me Kurtin vetëm pse i ka quajtur “hajvanë”.
Qëllimet e tyre të ulëta janë aq të tejdukshme, saqë i shohin edhe fëmijët e vegjël nga aeroplani, dhe përderisa janë të tilla, nuk do ta kenë përkrahjen e popullit.
Të gjitha pengesat që i kemi në rrugën drejt njohjes së plotë të shtetësisë sonë, si dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e NATO-s, kjo qeveri i ka trashëguar prej tyre.
Prandaj, përpjekja e tyre për të fshirë me gomë kujtesën e popullit të tyre dhe për t’u rikthyer me çdo kusht në pushtet do të mbetet e pasuksesshme.
Kur i dëgjoj ata se si i trajtojnë krimet e tyre shumëdimensionale në studiot e televizioneve që financohen nga tajkunët e tyre – të cilët janë agjentët më të mirë të shërbimit sekret serb – atëherë më bëhet e qartë pse e urrejnë Kurtin më shumë se Millosheviqin, Vuçiqin dhe Sheshelin së bashku.
E urrejnë sepse ai dëshiron që njëherë e përgjithmonë t’i japë fund një politike të tillë bastarde,
banditeske, mafioze dhe tradhtare.
Ata janë aq të etur për të vazhduar sundimin në mënyrë mafioze, tradhtare, banditeske dhe uzurpuese, saqë kanë investuar para nga buxheti i shtetit për të lobuar në Uashington dhe Bruksel kundër Albin Kurtit.
Dhe fatkeqësisht e kanë shfrytëzuar mandatin e parë të qeverisjes së Trumpit për të gjetur njerëz si Grenell, për të cilët paratë janë më të shenjta se Zoti, prandaj nuk e kishin aspak problem ta etiketojnë Kurtin si anti-amerikan.
Mirëpo njerëzit si unë, të cilëve nuk u shpëton asgjë nga sytë e trurit, e kanë përshkruar saktë mënyrën se si funksionon politika proteksioniste, mishërim i së cilës janë diktatorët më të këqij të botës – dhe pikërisht për këtë arsye ajo së shpejti do të marrë fund.
Sepse në SHBA dhe BE do të rikthehen në pushtet njerëzit normalë, meqë popujt e botës informohen shumë më shpejt, përmes teknologjisë moderne për atë se çfarë është e drejtë, e mirë dhe e dobishme për njerëzimin, kafshët, bimët dhe ambientin – dhe për atë se çfarë nuk është.
Përveç kësaj, ata tashmë po i ndiejnë në lëkurën e tyre pasojat e politikës së tyre anti-civilizuese, anti-ekologjike, anti-demokratike, korruptive, proteksioniste, diskriminuese, okupuese, kriminale dhe klerofashiste.
Dhe pastaj prej kujt do të kërkojë ndihmë opozita jonë për t’u rikthyer me çdo kusht në pushtet?
Prej Kurçub Kurçubiqit ?
Rruga Press