BallinaLajme

Nuk rekomandohet mbajtja e fëmijëve në qeli, shefi mban përgjegjësi nëse i mituri dhunohet në komisariat

Prej 5 ditësh në vendin tonë janë zhvilluar protesta të shumta të nxitura nga vdekja e 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Për të parandaluar protestat janë vënë re arrestime të shumta të të rinjve, mes tyre edhe të të miturve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Skype për emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora me moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu , Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve,  Altin Hazizaj  shprehet se situata është mjaft e nderë dhe  tregon se ndalimi i të miturve ka procedura specifike

“Provat që policia ka sjellë për arrestimin e këtyre fëmijëve kanë qenë shumë anësore dhe nuk duhen marrë në konsideratë  nga ana e Gjykatës, pasi nuk konsiderohen si prova themelore.”

Çfarë parashikon Kodi për fëmijët e mitur

Kodi Penal dhe Kodi i të miturve parashikon se ata kanë një përgjegjësi penale të kufizuar dhe kjo përgjegjësi penale e kufizuar vjen me një sërë masash lehtësuese fjalë për masa alternative dhe jo për burgim të tyre.

Në Shqipëri akoma nuk ka një shkollë rehabilitimi por fëmijët mund të detyrohen të punojnë në shërbim të organizatave dhe bizneseve të regjistruara që marrin përsipër të kujdesen për këta fëmijë.

Kushtet për ndalimin e një të mituri në komisariat

Altin Hazizaj: Ndalimi i të miturve ka procedura specifike. Nuk mundet që një fëmijë apo adoleshent ta shoqërosh me të njëjtën makinë që po transporton persona të rritur, nuk mundet dhe as nuk rekomandohet mbajtja e fëmijëve në qeli. Sikur kjo të jetë e nevojshme qelia duhet të jetë në kushte për të plotësuar standartet minimale të mbajtjes së një fëmije.

Për të vërtetuar nëse është ushtruar dhunë ose jo ndaj të miturve të shoqëruar në protestë i mbetet përgjegjësi dy institucioneve, e para është Shërbimi i Brendshëm i Policisë sepse ata kanë për detyrë të vërtetojnë nëse punonjësit e policisë kanë shkelur rregullat dhe e dyta është Avokati i Popullit i cili ka dalë me një raport paraprak, por ka akoma kohë për të mbledhur prova specifike.

Përgjegjësitë.

Altin Hazizaj: Përgjegjësia ligjore në këtë rast është sa individuale aq edhe institucionale. Kjo do të thotë se çdo shef komisariati, çdo drejtor policie mban përgjegjësi nëse në institucionin e tyre ndodhin këto raste dhune. Përgjegjësia e tyre nuk është vetëm penale por është edhe civile. 

Kështu që këta persona të cilët janë në drejtim  duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse ajo që mund të rrezikohet është: e para  përgjegjësi penale dhe e dyta dëmshperblimi që kërkohet nuk ka nevojë të vijë nga shteti por i kërkohet atij individi të policisë që ka ushtruar dhunën. Shteti nuk mund të sillet si personat që kryejnë krime.

Është e patolerueshme që shteti demokratik të kryeje krime ndaj qytetarëve të vet. Në çdo moment që ndodhin ngjarje të tilla të rënda nëpër institucione apo komisariate është shteti ai që po kryen krime dhe nuk është normale që një shtet të akuzohet për kryerje krimesh.

Hazizaj shpreh shqetësimin dhe për kushtet e policisë.

Lexo më shumë  Kurti: Arianit Besiri në moshën njëvjeçare u detyrua të largohet nga Kosova, sot është kryetar i komunës Morbach në Gjermani

‘Policia këto ditë është vënë në prova nga më të ndryshmet saqë edhe trajnimet që kanë bërë nuk i vlejnë më. Kushtet në komisariate, kushte nëpër mjedise ku ushtrojnë profesionin punonjësit tanë të policisë janë kushte minimale.

Brenda strukturës policore mungon avokati i popullit, ku çdo polic kur shikon ngjarje dhune të mundet ta referojë rastin pa pasur frikë se do pushohet nga puna, i mungon transporti nga shtëpia për në komisariat, i mungon ushqimi që duhet ta marrin pa lek por e paguajnë, i mungon pagesa për orët shtesë.

Punonjësit e policisë duhet të kenë një sindikatë  që të mbrojë interesat e tyre dhe mbi të gjitha kanë nevojë për një psikolog brenda ambienteve të policisë që të vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e tyre. Asnjëra nga këto shërbime nuk ekziston. Ne e kemi lënë policinë të vetme “në luftë” me të gjitha problemet që përballen.”

YouTube player