Nuk ofrohej aksesi për karrigen me rrota, Ministrja izraelite ngelet jashtë COP26
Glasgow –Ministrja izraelite për energjinë, Karine Elharrar, e cila është në karrige me rrota nuk ka mundur të marrë pjesë në samitin e COP26, i cili po zhvillohet në Glasgow.
Sipas BBC, ajo tha se ishte e trishtuar që OKB nuk ofronte aksesin siç duhej në ngjarjet e saj. Një zyrtar në delegacionin e kryeministrit izraelit Naftali Bennett tha se ata ishin ankuar zyrtarisht te organizatorët. Bennett tha se nuk do të merrte pjesë të martën nëse Elharrar nuk mund të hynte në samit. Elharrar tha ajo nuk mund të hynte në terrenin e konferencës sepse opsioni i vetëm ishite ecja. Zyra e saj për shtyp tha se ajo priti jashtë vendit të ngjarjes në Glasgow për dy orë dhe përfundimisht u detyrua të kthehej në hotelin e saj në kryeqytetin skocez Edinburgh.
Sekretari i Mjedisit në Mbretërinë e Bashkuar, George Eustice, tha se i vinte tmerrësisht keq për incidentin dhe se qeveria i kishte kërkuar falje zonjës Elharrar, e cila ka distrofi muskulare. Por ai gjithashtu u duk se fajësoi delegacionin izraelit, duke thënë se aj që normalisht duhet të ndodhte në këtë situatë është që Izraeli do të kishte komunikuar se ata kishin këtë nevojë të veçantë për ministren e tyre.
“Kishte padyshim diçka që shkoi keq në këtë rast dhe ata nuk kishin bërë masat e duhura në atë hyrje të veçantë që ajo po vinte. Unë e di se në shumicën e hyrjeve të tjera ka akses për karriget me rrota. Ajo thjesht erdhi në një hyrje që nuk e kishte atë dispozitë“, tha ai.
Një zyrtar në delegacionin e kryeministrit izraelit tha se Bennett i kishte thënë kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson për incidentin dhe zoti Johnson e kishte ftuar Elharrar të bashkohej në një takim mes dy kryeministrave të martën. Të hënën, Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly tha se ishte thellësisht i zhgënjyer dhe i frustruar që zonja Elharrar nuk mund të hynte në samit.
“Vendi i COP është projektuar që të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Unë kam folur me ministren për këtë dhe mezi pres ta takoj atë”, tha ai.
Rruga Press