Nuk ndalet betonizimi i Tiranës, sipërfaqja e lejeve i afrohet rekordit të 2019-s, arrijnë 355 milionë euro
Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet pritet që të vazhdojë të paktën dhe në një të ardhme afatmesme, si rrjedhojë e lejeve të shumta të ndërtimit që po vijojnë të jepen. Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ishte 1.25 milionë m2, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.
Sipërfaqja e lejeve të dhëna në janar-shtator 2021 po i i afrohet rekordit më të lartë të më shumë se një dekade, që u arrit në 2019-n, duke qenë vetëm 4.5% më e ulët. Nëse edhe tremujori i katërt vijon me të njëjtat ritme, 2021-shi mund të shënojë rekordin e viteve të fundit, teksa në muajt e fundit të 2016-s, sipërfaqja e lejeve u reduktua ndjeshëm për shkak të stepjes nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në tremujorin e tretë, sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet ishte 435 mijë metra katrorë, rekordi i këtij viti dhe më e larta që nga tremujori i tretë 2019. Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë për 9-mujorin është 43.6 miliardë lekë, ose 355 milionë euro.
Në Tiranë, për 9-mujorin është dhënë 73% e totalit të lejeve në rang kombëtar. Në vend, gjithsej për 9-mujorin u dha leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 1.7 milionë metra katrorë, me rritje 62% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s dhe 7% më pak se 2019-a. Sipas njoftimit të INSTAT, në tremujorin e tretë 2021 janë miratuar gjithsej 442 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 262 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 68,7%.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2021, është 564.266 m2, nga 397.947 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 41,8 %. Në tremujorin e tretë 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 22,5 miliardë lekë, nga 19,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2020, duke shënuar rritje prej 15,2%./Monitor
RrugaPress