Nostalgjia e Federatës Shqiptare të Futbollit ringjall Jugosllavinë kur provoni të bleni bileta
Kanë nisur ndeshjet e futbollit ndërkombëtar në kuadër të Ligës së Kombeve. Kombëtarja shqiptare e futbollit bën pjesë në Grupin B2, bashkë me Islandën dhe Izraelin.
Në këtë grup bënte pjesë edhe Rusia, por u eleminua paraprakisht si përgjigje sanksionuese ndaj pushtimit që Rusia po kryen mbi Ukrainën.
Shqipëria do të luajë kundër Islandës në datën 6 qershor, kurse kundër Izraelit në datën 10 qershor. Ndeshja kundër Izraelit luhet në Tiranë, ku dhe shumica e biletave tashmë janë shitur.
Redaksia e Rruga Press-it pranoi një denoncim për Federatën Shqiptare të Futbollit nga një lexues, i cili kishte provuar të bënte blerje bilete në website-in e Federatës.
Ai shprehej: “Futesh te shitorja e biletave online, sheh për bileta dhe të udhëzon për vendet e lira. Pasi futesh te një sektor i caktuar të del tabela logohu ose regjistrohu si përdorues i ri (New User). Kur fillon procesin e aplikimit për përdorues të ri për antarësim praktikisht fillon me emër, mbiemër, gjinia dhe vendi i rezidencës. Te kjo e fundit gjen që ekziston Jugosllavia.”
As vetë shteti serb, si ish-prijës i asaj që njihet si ish-Jugosllavia, nuk e ka guximin të pranojë në ndonjë formë se sot ekziston shteti i Jugosllavisë. Por, nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht, nga Federata e saj e Futbollit, Jugosllavia ringjallet si feniks.
Nëse Federata pohon se sot ekziston Jugosllavia, rrjedhimisht kjo e fundit nuk e njeh Kosovën, sepse Kosova pjesë e Jugosllavisë ishte e radhitur si nënentitet i Serbisë. Mund ta themi pa u kursyer se ky banalitet i Federatës, që ka për kryetar Armando Dukën, shpall nostalgjinë jugosllaviste që i jep Serbisë të drejtë mbi territoret shqiptare në Kosovë, kurse shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës dhe Malit të Zi i rikthen te statusi i qytetarit të dorës së dytë, i cili mund të marrë pjesë në jetën politike, publike vetëm nën tutelën serbe dhe në drejtim të interesit të shtetit hegjemonist serb.
Ringjallja e Jugosllavisë është risuprimim i Kosovës dhe riheqje e statusit të qytetarisë së plotë për shqiptarët jashtë juridiksionit të Republikës së Kosovës. Këtë projekt kaq antishqiptar sot nuk mund ta shpallë publikisht as trashëgimtari i Millosheviqit, Aleksandar Vuçiqi, por e shpall ashtu “si pa të keq”, në vitin 2022, vetë Federata (anti)Shqiptare e Futbollit, e drejtuar nga Armando Duka, i cili është akuzuar shpesh se futbollistëve të shquar shqiptarë u ka kërkuar para në këmbim të futjes në formacionin e Kombëtares.
Sot, për arsye të ndarjes së tortës së pushtetit, Armando Duka, Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk pajtohen. Kohëve të fundit pamë një betejë të ashpër të dy të parëve kur erdhi puna te rizgjedhja e drejtuesit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, në fund të ditës të tre këta i bën bashkë korrupsioni, shkatërrimi i potencialeve të vendit, Bregoviçi, Vuqiçi, Jugosllavia dhe Ballkani i Hapur.
©Rruga Press