Norvegjia ndan 242 milionë dollarë për marinën ukrainase
Shteti norvegjez ka bërë të ditur të hënën se do të sigurojë 242 milionë dollarë për ta fuqizuar marinën e Ukrainës dhe të ndihmojë ndalimin e forcave detare ruse në Detin e Zi, raporton Reuters.
Shumë prej fondeve do të shkojnë drejt inovacionit dhe autonomisë, nën Koalicionin e Kapaciteteve Detare, të cilin Norvegjia dhe Britania e nisën vitin e kaluar për ta bërë marinën e Ukrainës më të fuqishme, sipas qeverisa.
“Është thelbësore ta mbrojmë popullsinë e Ukrainës dhe infrastrukturën ukrainase nga sulmet e Flotës së Rusisë në Detin e Zi”, ka thënë kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere në një deklaratë.
“Gjithashtu është e rëndësishme t’i mbrojmë eksportet e drithit dhe produkteve të tjera nga deti, të cilat përfshijnë të ardhura thelbësore për Ukrainën”, ka shtuar ai.
Mbështetja përfshin donacione nga Forcat e Armatosura Norvegjeze si dhe pajisje ushtarake që do të sigurohen nga industria për donacione të mëvonshme.
Financimi do të përdoret gjithashtu për operacionet e pastrimit të minave dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas, sipas qeverisë.
“Sistemet që ne po ofrojmë do ta rrisin aftësinë e forcave ukrainase për të zbuluar dhe çaktivizuar minat përgjatë vijës së tyre bregdetare”, ka thënë në deklaratë ministri i Mbrojtjes, Bjoern Arild Gram.
Rruga Press