Non Grata nga SHBA, besniku i Putinit në Serbi, Aleksandar Vulin në shërbim edhe të Milorad Dodikut! Merr detyrë të re në Republikën Srpska
Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, emëroi një ndër besnikët e Vladimir Putinit në Serbi, Aleksandar Vulin anëtar të Senatit të Bosnjë-Hercegovinës.
Në vendim thuhet se në bazë të Kushtetutës së Republikës Srpska dhe Ligjit për Senatin, Vulin është emëruar senator i Republikës Srpska që nga 1 dhjetori.
Ky vendim u mor fill pas shpalljes Non Grata nga SHBA ndaj Aleksandar Vulinit, i cili aso kohe mbante pozicionin e rëndësishëm në Serbi si drejtor i BIA-s serbe. Pas futjes në listën e zezë të tij nga SHBA-të dhe më pas dështimit në Basnjkë, ku u ekspozua lidhja direkte e Beogradit me terroristët që kryen sulmin, Vulini dha dorëheqjen.
Senati i Republikës Srpska është organi këshillues i institucioneve më të larta kushtetuese të Republikës Srpska. Senati ka deri në 55 anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës Srpska. Senatori emërohet për shtatë vjet, me mundësi emërimi për një mandat tjetër radhazi.
Ish ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin u fut më 11 korrik 2023 në listën e zezë të sanksioneve amerikane. Vulin, aso kohe Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi, akuzohej nga Uashingtoni si i përfshirë në krimin e organizuar dhe në aferat korruptive.
Pas shpalljes Non Grata nga SHBA, Vulini mori një urim nga Presidenti i Republikës SRPSKA, Miloard Dodik, i cili është po ashtu i sanskionuar. Në mesazhin e tij, Dodik e cilësonte Vulinin si vëlla dhe ironizonte vendimin e SHBA-ve.
“Ne serbët jemi një popull i vogël, por jashtëzakonisht krenar dhe kurrë nuk do të jemi subjekt i shantazheve dhe interesave të të tjerëve. Si përfaqësues politikë të serbëve, prioriteti ynë i parë janë interesat dhe e ardhmja e popullit tonë, si dhe e Republikës Srpska dhe e Serbisë. Vëlla, mirë se erdhe në klubin e sanksionuar, tani do ta kesh më lehtë”, i tha Dodik, Vulinit aso kohe.
Vulin është përfshirë në krim të organizuar duke mbajtur raporte e përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiç, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë. Teshiç është në listën e zezë amerikane që nga viti 2017.
Rruga Press