Noli në Shtëpinë e Bardhë në moshën 81-vjeçare
𝐅𝐭𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐩𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢𝐭 𝐚𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐢𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐞 𝐒𝐡𝐞𝐤𝐬𝐩𝐢𝐫𝐢𝐭, 𝐬𝐮𝐫𝐩𝐫𝐢𝐳𝐚 𝐦𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐚𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐧𝐣𝐞𝐫𝐢𝐮𝐭 𝐍𝐨𝐥
Nga Mark Kristo
Me mbërritjen për herë të dytë në Shtetet e Bashkuara më 1933, mbas nëntë vjet mërgimi në Evropë, Noli u bë redaktor i gazetës “Republika”. “Zoti Kirka, pse kishte kaq shumë botime në një komunitet të vogël?”
Sepse ato botime – THE ADRIATIC REVIEW, DIELLI, KOMBI dhe tani, REPUBLIKA, shërbenin për të nxitur çështjen shqiptare. Gazetat nuk ishin gjë tjetër veçse një fushë garash. Ju duhet të kuptoni se në atë kohë, burrat bënin punë të rëndomta dhe fitonin katër ose pesë dollarë në javë. Megjithatë ne, aktivistët shqiptarë, qemë në gjendje të mblidhnim mijëra dollarë për çështjen tonë, sidomos për botimet. Kjo ishte një shumë astronomike. Madje, edhe sot kjo do të ishte gati një arritje e përsosur. “A nuk mbeteshin njerëzit të zhgënjyer?” Nuk e di; nuk besoj; të paktën shpresoj që jo. Ndoshta pak prej tyre, por ne ishim shumë të suksesshëm. Për shembull, gazeta “Republika” u krijua për të kundërshtuar pikëpamjet dhe ideologjitë e diletantit, Faik Konica dhe eprorit të tij, mbretit Zog. A mund ta besoni se në një nga piknikët e shqiptarëve ne mblodhëm 300$? Kjo qe një nxitje e madhe për popullin tonë. Sa më e dukshme bëhej çarja me Faik Konicën, aq më të vendosur bëheshim ne, në lëvizjen për bashkimin e Shqipërisë dhe për krijimin e kishës shqiptare dhe të kulturës shqiptare. “Si mendonte Noli të merrte hak? A kishte ndonjë plan për të çuar përpara lëvizjen kombëtare shqiptare?” Së pari, duhet të themi se nuk ishte në të mirën e Shqipërisë të lejohej ndërhyrja e një fuqie të huaj, si për të penguar Greqinë dhe Bullgarinë që të copëtonin tokat tona, ashtu edhe për të përzënë mbretin Zog. Ka shumë mundësi që fuqitë e huaja, të organizuara dhe agresive në sytë e shqiptarëve, të rrëzonin qeverinë dhe të nënshtronin shqiptarët. Vënia e brylit Nolit si Kryeministër i Shqipërisë, qe rezultat i koalicionit të përbashkët ndërmjet Zogut dhe Jugosllavisë. Megjithatë, pak kohë pas kësaj, Zogu hoqi dorë nga ndërhyrja jugosllave për hir të mbështetjes financiare që donte t’i ofronte Italia. Aktivi u bë pasiv dhe më 1939 Italia nën drejtimin e Musolinit pushtoi Shqipërinë dhe Viktor Emanueli, mbreti i Italisë, u shpall mbret i Shqipërisë.
HISTORIA INTERESANTE
Do t’ju tregoj një histori interesante dhe zbavitëse, përmes së cilës mund të dalloni më mirë Nolin njeri nga disa bashkëkohës të tjerë si, të themi, Faik Konica. Një mbasdite një grup shqiptarësh ishin mbledhur në dyqanin tim; në mes tyre ndodhej Fan Noli dhe Faik Konica. Ne, po diskutonim për mjeshtërinë letrare të poetit shqiptar Naim Frashëri. Me të dëgjuar emrin e Frashërit, Konica u tërbua. Ai nuk mund ta duronte respektin që tregohej për Naim Frashërin. S’ka dyshim që ishte xheloz për aftësitë e tij intelektuale. E pra, një nga admiruesit e Konicës, në një shpërthim zemërimi, thirri se poemat e Frashërit ishin shumë të përcipta, nuk kishin kuptim dhe deklaroi se Konica mund të shkruante 200 poema të tilla brenda një ore. Më pas, ai do të pohonte devotshmërinë ndaj Konicës, duke thënë se ai mund të bënte barin të rritej në trotuarin prej çimentoje që rrethonte dyqanin tim. I habitur nga ky shpërthim armiqësor prej këtij të ashtuquajturi “zotëri”, unë e këshillova të shkonte e të mblidhte për ne një koleksion të këtyre poemave, të cilat shqiptarët me siguri do t’i vlerësonin.
FIZIKU
“Më përshkruani pamjen fizike të Fan Nolit”. Noli nuk ishte trupmadh; madje ishte i shkurtër dhe kishte çehre të vrarë. Një herë, duke e krahasuar veten me Faik Konicën të gjatë dhe bukurosh, Noli tha, “Unë dukem si Sanço Panço, ndërsa Konica duket si Don Kishoti.” Konica kujdesej gjithmonë për veten dhe vishte zakonisht roba të çelura. Ai shfaqej shpesh me kostumin shqiptar “fustanella”. Noli vishte petkun e errët të klerikut. Megjithatë, po të marim intelektin si masë për krahasim, Noli e linte Konicën mbrapa. Në përgjigje të librit të Nolit “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” George Bernard Shou i shkruante: “Ju keni ngatërruar vokacionin, kur hytë në Urdhrin e Shenjtë. Ky libri juaj nuk është as lutje e priftit, as hagjiografi [literaturë mbi jetën dhe legjendat e shenjtëve]; është vepra e një kritiku dhe biografi të dorës së parë. E lexova deri në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë njohës i muzikës, kritik dhe artist-filozof nga profesioni. Ndoshta ju e dini se njerëzit nuk lexojnë kurrë librat që jua dërgojmë, siç i kam unë me shumicë…” Është me pikëpyetje nëse Noli e ka menduar se do të ishte më mirë të qe bërë shkrimtar, sesa prift. Unë mendoj, se po të arrish të kuptosh se shqiptarët në Amerikë, përballeshin me nevojën për të kryer pagëzimet, martesat dhe ritet e varrimit, se ishin privuar nga kremtimi i liturgjisë në gjuhën e tyre, në kishën e tyre ortodokse shqiptare për më shumë se 500 vjet, ndoshta mund të kuptosh edhe pse një patriot shqiptar si Theofan S. Noli, ndjeu detyrim të madh ta vinte jetën e vet në shërbim të bashkëatdhetarëve.
Unë besoj se zhgënjimin më të madh, Noli e ka ndjerë kur dështoi në themelimin e shtetit demokratik shqiptar. Kur vdiq, më 1965, Noli nuk kishte fituar…, qëkurse ishin ndërmarrë hapat fillestare më shumë se para pesëdhjetë vjetësh. Unë mendoj se Theofan Stilian Noli ishte, në radhë të parë, nacionalist.
Intervistova Sara Panaritin, të venë e Qerim Panaritit, një ish-botues i gazetës më të vjetër shqiptare në botë, “DIELLI” dhe mbështetës i fuqishëm i shoqërisë “Vatra”. Më poshtë po jap përshtypjet e saj për peshkop Nolin.
“Përshkruani, nëse dëshironi, marrëdhëniet që kishit me Fan. S. Nolin.” Nuk e njihja peshkop Nolin deri sa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e “Vatrës” ndodhej në 25 & 30 Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. “Si ishte apartamenti i tij?” Apartamenti ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjeshtë, shumë pak mobilje, por shumë libra.
Peshkop Noli na vizitonte dy herë në vit. Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë i çuditshëm sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë. “A mendoni se dallimi fetar u lejonte të kishin marrëdhënie madje më të afërta?” Mendoj se po. Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim i thoshte, “Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë.” Ai qeshte edhe me veten. Nuk ishte aspak pedant. Ata kishin shumë gjëra të përbashkta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerësh Shekspirin dhe “Rubaitë” e Omar Khajamit. Ai shkroi “Historinë e Skënderbeut” në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike.
Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë “Vatra” u organizua një banket dhe të ardhurat ju dhanë peshkopit, që t’i përdorte për botimin e librit “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”. Libri për Skënderbeun u botua nga “Vatra” kur burri im ishte botues i “Diellit”.
FAN NOLI NË HARVARD
Në artikujt që ka shkruar burri im, theksonte se Noli vajti në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht me qëllim, që të kryente atë punë që donte të bënte. Fan Noli mund t’ja dilte në të dy botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ja dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.
Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje. Disa herë kam ndjekur shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptoja gjuhën. Ai shprehej bukur. Ai ishte në formën e tij më të mirë, kur fliste para auditorit. Bënte që çdo gjë të dukej e gjallë. Kishte një zë të mrekullueshëm, të fortë dhe kumbues (tingëllues). “A kishte ndonjë gjë të veçantë për të cilën bisedonin peshkopi dhe burri juaj?” Kur flisnin me njëri- tjetrin, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishin Shqipëria dhe problemet shqiptare. Fan Noli ishte ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. “A flisnin ndonjëherë për sportin?” Oh, jo. Edhe pse burri im më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si kjo, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme!
NOLI KËNAQEJ ME PIKNIKËT
Peshkopi kënaqej kur shkonte në piknikët e shqiptarëve, ku do të ulej e të rrinte me anëtarët e rëndësishëm të kishës. Ai ishte vegjetarian dhe pëlqente frutat, kështu që në këto piknike do të gjendej gjithmonë një shportë me fruta për të. “Çfarë shihnin te Noli si njeri?” Kur shihja peshkop Nolin, ndjeja gjithmonë se ndodhesha në praninë e një njeriu të madh. Ai ishte shumë tërheqës. Kishte diçka në zërin e tij dhe në mënyrën se si fliste. Është një cilësi që jo gjithmonë mund ta përcaktosh; mund ta ndjesh, por jo ta analizosh gjithmonë. Thjeshtë e ndjeje se po flisje me një njeri me aftësi të mëdha, me njohuri të thella dhe shumë i përkushtuar. Nga ana tjetër, ai rrallë zbulonte ndonjë gjë për veten e tij. Bisedat e tij ishin gjithmonë për kauzat e për të tjerët. Nuk besoj se mund t’i afroheshe shumë në planin personal. Në themel, Fan Noli ishte njeri i ndrojtur. Ai ishte paksa vetmitar. Jetonte vetëm dhe këtu nuk kishte familje. Në jetën personale nuk interesohej për gjërat materiale. “A mendoni se i vinte ndonjëherë keq që nuk ishte martuar?” Nuk e di. Im shoq më ka treguar, sesi një herë ai dhe peshkop Noli shkuan në varrimin e dy vllezërve të rinj shqiptarë, që ishin vrarë në një aksident automobilistik. Mbas varrimit, burri im e çoi Nolin me makinë në apartamentin e tij në Blagden Street. Gjatë rrugës së kthimit Fan Noli i tha pak a shumë tim shoqi. “A e di, ne nuk e patëm kurrë kënaqësinë e fëmijëve, por nuk do të kemi kurrë as tragjedinë e tyre.”
Peshkop Noli ishte njeri shumë i respektuar jashtë bashkësisë shqiptare. Ai linte përshtypje të mahnitshme. Dr. Carleton Coon, antropolog në Harvard, kishte shkuar në Shqipëri për të drejtuar një sërë studimesh antropologjike. Ai botoi një libër me titull “Malii gjigantëve” (“The Mountain of the Giants”) dhe i kishte kërkuar si peshkop Nolit, ashtu edhe burrit tim të lexonin dorëshkrimin për t’u siguaruar që materiali historik ishte i saktë. Një mbrëmje na ftoi të treve për darkë. Mysafirë të tij ishin disa njerëz shumë të shquar që kishin lidhje me Harvardin si dhe një anëtar i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit në Uashington. Vëmendja e gjithsecilit atë mbrëmje ishte përqendruar te peshkop Noli. Të gjithëve u bënë shumë përshtypje njohuritë e tij për historinë e Ballkanit. Ai ishte në qendër të vëmendjes. Ajo qe një mbrëmje e mahnitshme dhe ai një tregimtar shumë i mirë.
Një histori shumë zbavitëse ishte ajo, kur e kishim ftuar peshkop Nolin për darkë, një të shtunë mbrëma. Ndoshta ishte 81 vjeç dhe ishte duke mësuar aramaishten në Harvard. Një ditë më telefonoi për të më pyetur nëse do të më vinte keq, po të ndryshonte ditën, sepse i kishte dalë diçka tjetër. I thashë se nuk më vinte keq dhe ai mu përgjigj, “Kam provime dhe më duhet të mësoj.” “Kjo ndodhi kur ishte 81 vjeç?” Po, kështu që nuk është kurrë vonë të mësosh për provime. “Vërtetë zbavitëse! Duhet të ketë qeshur, kur ja u ka thënë këtë.” Po, qeshi. Qeshi.
Një herë tjetër kur ishte i ftuar për darkë, mori në telefon për të na thënë se i kishte ndodhur diçka me protezën e dhëmbëve, kështu që nuk do të ishte në gjendje të përtypte asgjë. Mu desh të përgatisja diçka të bollshme që mund ta hante. Ai hëngri supë me zarzavate dhe më pas hëngrëm tortë me luleshtrydhe, që ai e shijoi plotësisht.Peshkop Noli e dashuronte muzikën. Ai e kishte bërë zakon të shkonte çdo të premte mbasdite në koncert simfonik. Ato pak herë kur nuk mund të shkonte, ma jepte mua biletën e tij. Kishte një vend të hatashëm; ishte në llozhën e parë mbi skenë. Kur kisha vajtur në koncert përpara se të martohesha, isha ulur në llozhën e dytë nga nuk shihej asgjë.
STUDIUESIT E SHEKSPIRIT NË SHTËPINË E BARDHË
Në qershor 1964, lexuam në gazetën New York Times se në përkujtim të 400 vjetorit të lindjes së Shekspirit, presidenti Lyndon Johnson kishte organizuar një mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë për studiuesit e Shekspirit. Megjithatë, jo shumë njerëz kishin dijeni për përkthimet e peshkop Nolit në shqip të Shekspirit. Peshkop Noli i tha burrit tim se do të dëshironte të shkonte. Atëherë, ai i shkroi një letër shumë të këndshme presidentit Johnson, ku i thoshte se edhe peshkop Noli ishte studiues i Shekspirit, se ai ishte 81 vjeç dhe nuk e kishte parë kurrë nga brenda Shtëpinë e Bardhë. Ai mendonte se peshkop Noli do të kënaqej shumë po ta ftonin edhe atë. Mbas një jave peshkopi mori një ftesë. “Duhet të jetë tronditur!” Po, u trondit, sepse atje ishin të gjithë studiuesit e Shekspirit nga Anglia dhe nga ky vend. Kur u kthye, peshkop Noli i telefonoi burrit tim për t’i thënë se presidenti Johnson i dërgonte të fala. I tillë ishte humori i tij.
Burri im e admmironte shumë peshkopin. S’kish gjë që të mos e bënte për të. Ai filloi fushatën për të mbledhur para që t’i blinte peshkop Nolit një shtëpi në Florida, ku ai të shpëtonte nga muajt e hidhur e të ftohtë të dimrit. Të gjithë mendonin se ajo ishte një marrëzi, se nuk do të mblidheshin kurrë aq para sa duheshin. Por i mblodhën.
Poezitë e peshkop Nolit u botuan te “Dielli” në kohë të ndryshme. Ai përktheu shumë nga poezitë e Victor Hugo-it, që do të thotë se e njihte mirë frëngjishten. Përktheu gjithashtu, edhe disa poezi elizabetiane. Duke e kuptuar se ishte njeri shumë i sëmurë, peshkopi i tha burrit tim se dëshironte që ato poezi të botoheshin si libër, ndryshe do të humbisnin po të varroseshin në faqet e “Diellit”. Mbas vdekjes së peshkopit, im shoq u takua me disa shqiptarë adhurues të Fan Nolit, që kontribuan për shtypjen e librit. Padyshim që peshkopi nuk e pa kurrë librin.
Peshkop Noli kish dashur që mbas vdekjes librat e bibliotekës së tij t’ia dhuronte Bibliotekës Publike të Bostonit. Në atë kohë, për disa arsye, biblioteka e Bostonit nuk i mori librat. Atëherë, sekretarja e tij Mary Johns, i dërgoi ato në Shqipëri. Qenë volume të tëra dhe u desh të bëheshin arka druri për transportimin e tyre. “Si nuk i pranoi Biblioteka Publike e Bostonit? A nuk ishte kjo një marrëzi?” Po, kështu ishte. Tani ata do të ishin shumë të kënaqur t’i kishin ato libra.
Si përfundim, të tre njerëzit që intervistova më informuan jo vetëm për aspektet intelektuale të Nolit njeri, por më futën në brendësi të aspektit njerëzor, madje humoristik të këtij personazhi të respektuar, të këtij shqiptari. Në të vërtetë flitet më shumë për njeriun, sesa për figurën e rëndësishme publike që e kanë njohur shumë prej nesh. Nga anekdotat personale që lidhen me këta individë, shohim se ka ekzistuar një anë tjetër e Theofan Stilian Nolit si person, si qenie njerëzore.
Gjatë kërkimeve të mia për këtë projekt, kam bërë një zbulim interesant. Kur u krijua shoqëria “Besa Besën”, në Bostonmë 1907, Noli qe kryetari i saj i parë dhe arkëtar ishte gjyshja ime nga nëna, Gelo Goni Stephenson (Katundi). Gjyshi im kishte emigruar në Amerikë me grupin e parë të shqiptarëve para se të mbyllej shekulli, të prirë nga kunati i tij Kole Christopher (At Kole), i cili njihet si shqiptari i parë që ka ardhur në Amerikë.
(Maj, 1982)
(Marrë nga profili i FB i Agim Morinës)
Rruga Press