Nogueras: Sot debatohet në Kuvendin spanjoll nisma e “Junts” për njohjen e shtetit të Kosovës, votimi më 27 qershor
Propozimi i partisë katalunase “Junts” për njohjen e shtetit të Kosovës nga Qeveria e Spanjës do të diskutohet sot në seancën plenare të Kuvendit të Spanjës, ndërsa votimi lidhur me këtë iniciativë të partisë katalunase do të jetë më 27 qershor.
Kështu bëri të ditur në një deklaratë për Telegrafin, Miriam Nogueras, anëtar i Parlamentit, zëdhënës i partisë katalunase.
“Ne presim mbështetje nga të gjitha partitë politike katalane, baske dhe galike. Nuk mund të them të njëjtën gjë nga partitë politike spanjolle. Ne do të negociojmë deri në minutën e fundit”, tha Nogueras për Telegrafin.
Zëdhënësi i kësaj partie tutje njoftoi se debati është sot, duke filluar nga ora 17:00, ndërsa propozimi do të vihet në votim të enjten, më 27 qershor.
“Partia Socialiste e zotit Sanchez nuk ka shprehur asnjë synim për të mbështetur nismën. Kundërshtimi i njohjes së Kosovës e lë atë shumë të dobësuar në sytë e ndërkombëtarëve. Votimi Jo është një akt i madh moskoherence nga ana e qeverisë spanjolle”, tha ai.
“Ata mendojnë se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës mund të jetë një precedent për një njohje të ardhshme të një shteti të pavarur katalanas nga vendet e tjera. Kjo është frika e vërtetë pas qëndrimit të partive politike spanjolle”, tha Nogueras.
Sipas tij, propozimi mund të kalojë me shumicë të thjeshtë votash, por përfundimisht njohja e një shteti të ri sovran mund të zbatohet vetëm nga Qeveria e Spanjës.
Këtu mund ta ndiqni debatin e drejtpërdrejt nga ora 17:00.
Rruga Press