Njohja zyrtare e avokatëve të Kosovës nga Gjermania, ambasadori Rohde: Një hap i rëndësishëm përpara
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar si lajm të mirë regjistrimin e avokatëve kosovarë në Gjermani.
Rohde, theksoi se ky hap do të ndihmojë që të rritet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
“Zhvillim emocionues! Avokatët kosovarë tani mund të regjistrohen pranë shoqatave të avokatëve gjerman. Ky hap premton të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe të përmirësojë ekzekutimin e projektit ndërkufitar gjermano-kosovar. Një hap i rëndësishëm përpara!”, shkroi Rohde.
Kujtojmë, që ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, njoftoi se avokatët nga Republika e Kosovës tashmë njihen zyrtarisht nga Gjermania.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai bën të ditur se tani e tutje avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë, duke e cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare.
Rruga Press