KryesoreLajme

Njohja e pavarësisë, Kurti: Kosova do të punojë për forcimin e lidhjeve me Sirinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ai e ka cilësuar këtë si një tjetër sukses diplomatik për vendin, duke theksuar se brenda këtij viti Kosova ka siguruar tri njohje të reja – nga Kenia, Sudani dhe tani Siria.

“Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë,” ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Kosova po krijon qendër për AI, ministri Jagxhiu jep detajet

Ai ka shprehur mirënjohje për Presidenten Vjosa Osmani për përpjekjet e saj diplomatike dhe për Mbretërinë e Arabisë Saudite, e cila, sipas tij, luajti një rol të rëndësishëm në këtë proces.

“Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë,” ka shtuar ai.

Lexo më shumë  Kurti pritet nga Macron në Pallatin Elize, konfirmohet partneriteti Kosovë–Francë

Kreu i ekzekutivit theksoi se nga sot Kosova do të punojë për forcimin e lidhjeve me Sirinë dhe për ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale me interesa të përbashkëta.

“Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjata,” përfundoi Kurti.

YouTube player