Njihuni me gratë që mbrojnë leopardët e borës në Indi
Në një nga rajonet më të ftohta dhe më të izoluara të Indisë, një grup grash nga Lugina Spiti po luajnë një rol kyç në mbrojtjen e leopardit të borës, një nga grabitqarët më të rrallë dhe më misteriozë të Azisë.
Leopardi i borës gjendet vetëm në 12 vende të Azisë Qendrore dhe Jugore. India strehon një nga popullatat më të mëdha në botë, me mbi 700 individë të regjistruar sipas një studimi kombëtar të kryer në vitin 2023.
Një nga zonat ku kjo specie jeton është rreth fshatit Kibber, në shtetin Himachal Pradesh, një rajon malor në lartësi të mëdha përgjatë vargmalit të Himalajeve. I njohur nga banorët vendas si “fantazma e maleve”, leopardi i borës lëviz në heshtje në terrenin shkëmbor dhe rrallëherë shihet.
Për dekada, ai është konsideruar kërcënim për bagëtitë e komuniteteve lokale. Por kjo qasje po ndryshon, ndërsa banorët po ndërgjegjësohen për rolin e tij të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik.
Gati një duzinë gra nga zona po punojnë në bashkëpunim me Departamentin Pyjor të Himachal Pradesh-it dhe organizata mjedisore për të gjurmuar dhe monitoruar leopardët e borës përmes kamerave automatike të vendosura në shtigjet malore.
Të njohura si grupi “Shenmo”, sipas emrit lokal të leopardit (Shen), gratë janë trajnuar për instalimin dhe kontrollin e pajisjeve fotografike që regjistrojnë lëvizjet e kafshëve të egra.


Ato kontribuuan edhe në studimin e vitit 2024 për leopardin e borës në Himachal Pradesh, i cili tregoi se numri i individëve në shtet është rritur nga 51 në 83 krahasuar me vitin 2021. Të dhënat u mblodhën në një sipërfaqe prej rreth 26 mijë kilometrash katrorë dhe po përdoren tashmë për planifikimin e masave të ruajtjes së habitatit.
Puna zhvillohet kryesisht gjatë dimrit, në kushte të vështira klimatike dhe në lartësi mbi 4.300 metra mbi nivelin e detit. Përveç mbledhjes së të dhënave, gratë ndihmojnë komunitetin të përfitojë nga skemat shtetërore të sigurimit për bagëtitë dhe promovojnë përdorimin e stalleve mbrojtëse kundër grabitqarëve.

Lugina Spiti është përfshirë së fundmi në Rezervën e Biosferës së Shkretëtirës së Ftohtë, një program i njohur nga UNESCO, që synon mbrojtjen e ekosistemeve të brishta dhe mbështetjen e jetesës lokale.
Ekspertët theksojnë se përfshirja e komuniteteve vendase është thelbësore për ruajtjen e specieve të rrezikuara, veçanërisht në një kohë kur ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ekosistemet malore.
Rruga Press

