Njësitet e FSK-së të gatshme për mision: Trajnim me municion real për Forcat Tokësore
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë të gatshme për mision.
Ai ka theksuar se Kompania B e Regjimentit të tretë të këmbësorisë së Forcave Tokësore ka përfunduar me sukses trajnimin për qitje ditën dhe natën me municion real.
“Te gatshëm per mision. Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kompania B e Regjimentit të tretë të këmbësorisë së Forcave Tokësore ka realizuar me sukses trajnimin për qitje ditën dhe natën me municion real me të gjitha armët sipas strukturës së skuadrave të saj dhe përgatitjen për validim,” ka shkruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se ky trajnim kishte për qëllim testimin e kapaciteteve dhe njohurive të fituara, për të validuar skuadrat sipas planit të validimit dhe ngritjen e kapaciteteve luftarake të Forcave Tokësore.
Ky është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e njësive të FSK-së për të përmbushur detyrat e tyre në misionet e ardhshme.
Rruga Press