Njësia e inteligjencës Fitch Solutions përmirëson parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, e çon në 5.7%
Fitch Solutions, një njësi e inteligjencës së agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Fitch, njoftoi se ka rishikuar në rritje me 1.5 pikë përqindje parashikimin për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë për vitin 2021, duke e çuar atë në 5.7%.
Ky vlerësim, i publikuar në raportin e fundit të riskut të Shqipërisë për 6 mujorin e dytë 2021 është në linjë të kundërt me atë të shkurtit të po këtij viti, ku 4.8% që ishte parashikimi i mëparshëm, pritej që ekonomia e vendit këtë vit të zgjerohej me 4.3%.
“Ne kemi rishikuar parashikimin e rritjes reale të PBB-së 2021 për Shqipërinë në 5.7%, nga 4.3% më parë. Pjesa më e madhe e rikuperimit do të jetë nga formimi bruto i kapitalit fiks për shkak të përpjekjeve të rindërtimit pas tërmetit. Ndërkohë, ne presim që progresi i shpejtë i vazhdueshëm i vaksinimit Covid-19 në Shqipëri të mbështesë një rikuperim të qëndrueshëm të konsumit privat, ndërsa një përmirësim i mbledhjes së taksave në përputhje me rimëkëmbjen ekonomike mbështet rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve qeveritare”, thuhet në raportin e fundit.
Fitch Solutions parashikon që eksportet e mallrave do të rriten gjatë vitit ndërsa kërkesa nga Evropa përmirësohet, megjithëse eksportet e shërbimeve do të duan më shumë për t’u rikuperuar si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme nga Covid-19. Ndërkohë, një rënie graduale e papunësisë do të shkaktojë një rritje të moderuar të konsumit privat.
Sipas raportit, Investimet publike duket se do të jenë një pikë relativisht e fortë për rritjen e këtij viti, si rrjedhojë e financimit të projekteve të shtyra dhe aktiviteteve të rindërtimit të lidhura me tërmetin e Nëntorit 2019.
Nga institucionet e tjera ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar është më pak optimist. Në raportin e perspektivës ekonomike të prillit, FMN e ka rishikuar në ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në +5%, nga +6.1% që ishte në vlerësimin e tetorit. Në vitin 2022 vendi pritet të rritet me 4%, për tu ngadalësuar më pas në 3.5%.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.5% këtë vit. BERZH përllogariti se, ekonomia e Shqipërisë do të arrijë nivelin e 2019-s që këtë vit, madje do ta tejkalojë atë me 1% që këtë vit, por gjithsesi do të rritet me ritme më të ulëta se mesatarja e Ballkanit Perëndimor me 5.1%. /Monitor.al
Rruga Press