Kryesore

Një vit nga sulmet në veri, Prokuroria Speciale hesht për mos-ngritjen e aktakuzave ndaj serbëve që ushtruan dhunë

Janë bërë një vit nga zgjedhja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Zgjedhja e tyre në komunat përkatëse u shoqërua me tensione të shumta, ku grupe kriminale serbe protestuan dhunshëm duke mos kursyer asgjë, duke sulmuar gazetarët dhe ushtarët e KFOR-it, të cilët u përkujdesën për ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë procesit të vendosjes së kryetarëve në detyrat tyre.

Nga sulmet e dhunshme pësuan 93 ushtarë të KFOR-it, disa prej tyre kishin marrë lëndime serioze nga dhuna e ushtruar nga grupet kriminale serbe.

Por, një vit pas, nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj atyre që ushtruan dhunë dhe nxitën tensione.

Telegrafi ka nisur disa pyetje drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, lidhur me procesin e hetimeve për rastet e ndodhura në veri dhe pse deri tani ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Më konkretisht për protestat e dhunshme në muajin maj gjatë vendosjes së kryetarëve shqiptarë dhe për sulmin në muajin shtator, ku si pasojë e sulmeve u vra rreshteri, Afrim Bunjaku.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Telegrafi dhe kjo nuk është hera e parë që kjo prokurori nuk deklarohet mbi këto raste.

Kritika në drejtim të Prokurorisë Speciale ka bërë para disa ditësh edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti në deklarimet e tij ka thënë se nuk e kupton pse ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë për sulmet e ndodhura, ku sipas tij, provat janë të qarta.

Vendosjen e autorëve të sulmit para drejtësisë e ka kërkuar edhe komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Në njëvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash ka theksuar se guximi i ushtarëve ndihmoi në stabilizimin e situatës në atë zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës.

“Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin… Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, thuhej në reagimin e Ulutash, komandant i KFOR-it.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Lidhur me situatën në veri, analistët në Kosovë kanë vlerësuar se sulmet janë organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tyre, situata në atë pjesë duhet të vëzhgohet pasi që Serbia ka qëllim rikthimin e tensioneve.

Gjithashtu, vlen të theksohet se për sulmin e ndodhur në shtator, ku u vra polici Afrim Bunjaku, përgjegjësinë për sulm e ka marrë ish-nënkryetari Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të endet i lirë në Serbi.

Grupe kriminale serbe kishin hyrë ilegalisht në Kosovë gjatë muajit shtator, ata vranë policin Afrim Bunjaku, derisa ishte në krye të detyrës.

Pas sulmit, policia ka konfiskuar sasi të madhe të armatimit në atë zonë.

Sulmet e ndodhur në veri u dënuan fuqishëm edhe nga ndërkombëtarët.

Rruga Press

YouTube player