Një trinitet mes injorantes, debilit dhe kriminelit sadist. Natyra i fali shqiptarit veshë dhe sistem nervor, që shqiptari të dëgjojë “O Gazo!”, “O Rame!”, “O Çyryk!”
Editorial nga Rruga Press
Ekziston një mrekulli e natyrës që quhet dëgjim, që bëhet i mundshëm nga një sistem i ekuilibruar e i komplikuar i mekanizmit ndijor të veshit, deri në tru. Duke u lidhur me sistemin nervor dhe përcjelljen deri në tru, dëgjimi bëhet pjesë integrale e perceptimit, por dhe inteligjencës.
Po te ishim më të vetëdijshëm për mrekullinë e kësaj ngrehine që ngërthen disa disiplina të shkencave natyrore dhe humane, me siguri që do të ishim më përzgjedhës se ndaj çkaje do ta ekspozonim dëgjimin. Nuk është fjala vetëm për tingujt e fortë që mund ta dëmtojnë mekanizmin e dëgjimit, por edhe për makabritetet që thuhen nëpër fushata zgjedhore, siç është kjo fushatë zgjedhore në Shqipëri, të cilat e dëmtojnë rëndë perceptimin dhe inteligjencën e shqiptarit të gjendur në trullosjen e këtyre tingujve që pretendojnë se përbëjnë fjalë dhe kuptime.
“O Gazo!”, “O Rame!”, “O Çyryk!”: ky është diskursi publik në Shqipëri, si ca kufje të vendosura ndër veshët e shqiptarëve, të cilat nuk kuptohet mirë nëse ata nuk mund t’i heqin apo nuk duan t’i heqin. Çfarë shpërdorimi i papërgjegjshëm i kapacitetit të dëgjimit! Çfarë fyerje ndaj natyrës dhe njeriut! Natyra i fali shqiptarit vesh dhe ky po e shfrytëzon këtë dhuratë për të shëtitur nga Zeqineja te Basha, për te Rama. Shaiptari shau ose qeshi, por nuk po e mendon se mund të bëjë edhe gjënë e duhur, të refuzojë shtazërinë që i ofrojnë si spektakël ata që e vjedhin, që e fusin në mjerim, që ia mbyllin botën. Do të mundej thjesht të refuzonte të dëgjonte, por ai vazhdon të shajë ose qeshë, gjithnjë veshët lart teksa i tkurret qenia e përbashkët dhe i zbehet shpirti.
Kush di të thotë nëse ka ndonjë shenjë të politikes në këtë fushatë të presupozuar politike të cirkut? Sa më shumë BE që premtohet, aq më pak përmase bote i mbetet shqiptarit të shkatërruar nervash dhe shqisash. Në apo jashtë BE-së, shqiptari mbetet jashtë bote, sepse mbetet apolitik, ndërsa bota është njësia gjithëpërfshirëse ku zënë vend aktet politike apo të prodhimtarisë së vazhdueshme të kulturës, të popujve apo anëtarëve të popujve.
Shqiptari vazhdon të lindë në kushte të arratisjes duke qenë në vendin e tij dhe më pas vijon të ikë si refugjat e njësoj në arrati, për t’u fshehur në ndonjë vend të botës.
Ndërkohë, le të dëgjojmë Zeqinenë e PS-së që simulon përbrenda fushatës tallava dhe me video situata të erotizmi kiç, e në anën tjetër të shohim Ramën teksa i fton fëmijët të shohin në Google fotot e tij nudo në plazh.
Le të jemi të sigurt te kjo, se në asnjë vend të kësaj Evrope ku duam “të futemi”, përfshirë edhe vendet e Ballkanit, një fushatë e tillë e shpifur nuk do të tolerohej. Dhe as të mos na shkojë mendja të themi se “fajin e kanë shqiptarët” apo “fajin e kanë të gjithë”, siç themi zakonisht e për gjithçka. Sigurisht që fajin e kanë shqiptarët, por duke e thënë këtë secili prej nesh shfajësohet, duke e veçuar veten në momentin që shpërndamë fajin, ose duke e minimiziar atë tek të gjithë (kur të gjithë kanë faj, askush nuk ka faj), ose duke e ndarë heshturazi veten mënjanë nga të gjithë që i akuzuam në vetë të tretë: “ata”, “shqiptarët”.
Duhet të konsiderojmë se me të gjitha gjasat dhe nisur nga probabiliteti i lartë, fajtor duhet të jem pikërisht unë, këtu, tani, që po dëgjoj, që po qesh a po shaj teksa Zeqineja, Basha e Rama penetrojnë veshët, degjenerojnë sistemin nervor, atë të perceptimit dhe inteligjencës; për pasojë edhe atë të moralit politik.
Nëse “unë” do të refuzoja të dëgjoja këtë shtazëri që të pështjellon, do ta dënoja pa ambiguitet, do ta ndëshkoja me votë dhe triniteti mes injorantes, debilit dhe kriminelit sadist do të kishte marrë fund me kohë, për t’i hapur më në fund të mundshmen shqiptarëve.
Rruga Press