Bota

Një tjetër zyrtar serb i sanksionuar nga SHBA-ja do ta vizitojë Rusinë

Qeveria serbe njoftoi të premten se ministri i saj pa portofol, Nenad Popoviq, do ta vizitojë Rusinë për të marrë pjesë në një takim ndërqeveritar mes dy vendeve në Shën Petersburg muajin e ardhshëm.

Popoviq – i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet e tij me Rusinë – do të marrë pjesë në një tubim të Komitetit Ndërqeveritar Serbo-Rus për Bashkëpunim Tregtar, Ekonomik, Shkencor dhe Teknik, i cili do të mbahet në nëntor, në Shën Petersburg.

Në Qeverinë e Serbisë, Popoviq është përgjegjës për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe për pozitën shoqërore të kishës në vend dhe jashtë saj.

Përveç Popoviqit, në takimin e Shën Peterburgut do të marrë pjesë edhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Rusisë, Maksim Reshetnikov, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Nenad Popoviq është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej nëntorit të vitit 2023, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.

Në listën e zezë amerikane është edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili më 4 tetor u takua me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë ruse të energjisë “Roseti”, Andrei Ryumin, gjatë vizitës së delegacionit të kësaj kompanie në Beograd.

Vulin theksoi se Serbia është “i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë” dhe shtoi se Serbia “nuk do ta ndryshojë politikën e saj dhe investimet dhe njerëzit nga Rusia janë plotësisht të sigurt” në Serbi.

Siç njofton Qeveria e Serbisë, Ryumin theksoi “vëmendjen e madhe që Vulin i kushton zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Federatës Ruse dhe Serbisë”.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Serbia ka pothuajse tri vjet që nuk pranon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, edhe pse në Kombet e Bashkuara e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit Serbia synon të jetë në të ardhmen, i kërkon Beogradit të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Në deklaratat e tij, Vulini shpesh e kritikon Perëndimin, është vizitor i shpeshtë i Moskës dhe konsiderohet si një nga mbështetësit më të fortë të Kremlinit në mesin e përfaqësuesve të autoriteteve serbe.

Pas takimit të Vulin me presidentin rus, Vladimir Putin, në shtator, Bashkimi Evropian tha se “mbajtja e lidhjeve me Rusinë gjatë luftës së saj agresore kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e BE-së e as procesin e anëtarësimit”.

YouTube player