Një rrugë në SHBA do t’i karikojë makinat elektrike gjatë vozitjes
Një biznes izraelit planifikon të ndërtojë mbi 1,6 km trotuar në Michigan të SHBA-së që do të ngarkojë me valë automjetet elektrike ndërsa shoferët kalojnë andej pari ose ndalen, duke shënuar një projekt të parë të këtij lloji të infrastrukturës në SHBA.
Electreon, me qendër në Beit Yanai, fitoi një kontratë me shtetin për të ndërtuar sistemin rrugor të karikimit pranë qendrës së Detroitit, ka thënë të martën guvernatori Gretchen Whitmer.
Electreon përdor mbështjellje speciale të ngulitura në trotuar që dërgojnë frekuenca magnetike në një bllok karikimi poshtë një automjeti. Sa herë që një makinë elektrike kalon përgjatë atij trotuari ose ndalon në rrugë, bateria ngarkohet. Sipas Electreon, bobinat nuk reagojnë ose dëmtojnë automjetet me gaz.
Rruga e Electreon do të jetë në gjendje të karikojë të gjitha automjetet elektrike, përfshirë autobusët elektrikë.
Një pjesë e sistemit do të përfundojë dhe do të jetë gati për përdorim vitin e ardhshëm, bëri të ditur kompania përmes një deklarate. Zyrtarët shtetërorë nuk zbuluan se sa do të kushtojë projekti, por thanë se departamenti i transportit të shtetit do të kontribuojë me 1.9 milion dollarë dhe Electreon do të paguajë pjesën tjetër.
“Michigan po nxjerr në mënyrë agresive zgjidhje të ndryshme të karikimit dhe ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përpara kurbës së teknologjisë”, ka thënë drejtori i transportit Paul Ajegba në një deklaratë të martën.
“Një sistem i karikimit me valë në rrugë do të jetë revolucionar për automjetet elektrike, duke zgjatur potencialisht karikimin e tyre pa pasur nevojë të ndalen”, ka shtuar ai.
Electreon ka testuar teknologjinë e tij në Itali që nga dhjetori dhe ka teste të tjera në vazhdim në Gjermani dhe Suedi. Kompania nënshkroi një marrëveshje prej 9.4 milionë dollarësh në tetor për të sjellë teknologjinë e saj në autobusët elektrikë në Tel Aviv.
Drejtuesit e automjeteve elektrike në SHBA zakonisht i ngarkojnë veturat e tyre duke u parkuar në një stacion karikimi ose në shtëpi. Electreon dhe startup-et e tjera besojnë se kjo metodë është joefikase dhe po krijojnë mënyra të reja që drejtuesit të karikojnë pa pasur nevojë të futen në prizë dhe të presin.
Prodhuesit amerikanë të automjeteve pritet të shesin 6.9 milionë automjete elektrike deri në vitin 2025, nga 1.4 milionë që ishte parashikuar në vitin 2020, sipas S&P Global.
Rruga Press