KryesoreOpinion/Aktualitet

Një propozim absurd fetaro-diplomatik i Abazoviçit për Kosovën

Nga Shaban Murati

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri i shkarkuar i Malit të Zi, D.Abazoviç, në një intervistë me televizionin “RTK” në 15 prill paraqiti një propozim të ri të çuditshëm që marrëveshja e nënshkruar prej tij në 3 gusht 2022 me kishën ortodokse serbe është një model, që Kosova mund ta zbatojë pa problem.

“Kosova mund ta ketë këtë marrëveshje me kishën ortodokse serbe si një model”, theksoi Abazoviçi.

Ky propozim bërë në Prishtinë jehoi me entusiazëm në qarqet qeveritare dhe kishtare serbe. Në 15 prill  media serbe “Blic” shkruante që në titull: “Abazoviç: Marrëveshja ime me kishën ortodokse serbe model për Kosovën”.

Media tjetër serbe “Serbiapostsen.com” shkruante në 17 prill për propozimin e malazezit Abazoviç në Prishtinë, që marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e tij me kishën ortodokse serbe të jetë një model që Kosova ta zbatojë. Madje kjo media serbe e shkallëzoi entusazmin për misionin fetaro-diplomatik të Abazoviçit në Prishtinë, duke u bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ata te marrin mësim nga Abazoviçi, i cili me shembullin e tij tregoi se si arrihet konsensusi social(!).

Se si qenka arritur konsensusi social nga Abazoviçi në Mal të Zi, kur parlamenti i Malit të Zi e shkarkoi atë nga posti i kryeministrit pikërisht për shkak të marrëveshjes së zezë antimalazeze me kishën ortodokse serbe, dhe kur shoqëria malazeze është sot më e përçarë se kurrë nga veprimtaria diversioniste e kishës ortodokse serbe dhe e frontit politiko-fetar serb në vend, këtë profkë vetëm një dalldi ultranacionaliste serbe mund ta pretendojë.

Përkufizimi i vetëm, që mund t’i jepet propozimit të ri të malazezit Abazoviç që Kosova të zbatojë modelin e marrëveshjes së tij të nënshkruar me kishën ortodokse serbe, është se kemi të bëjmë me një propozim absurd në të gjitha pikëpamjet.

Qoftë raportet demografike etnike, qoftë raportet e brendëshme fetare, qoftë karakteri i shtetit,  qofte historia e marrëdhënive të kishës serbe ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar të Kosovës gjatë mbi njëqind e dhjetë viteve që nga pushtimi i egër i Kosovës prej Serbisë, janë kaq të ndryshme dhe të papërputhëshme midis Kosovës dhe Malit të Zi, sa që  nuk ka fantashkencë diplomatike ose letrare që t’i verë në një plan dhe të propozojë zbatimin nga Kosova të marrëveshjes serbe të Abazoviçit.

Marrëveshja  e dëmshme për identitetin dhe trashëgiminë shtetërore, kombëtare dhe fetare të Malit të Zi, që nënshkroi kryeministri Abazoviç me kishën ortodoke serbe, ishte në fakt një shërbim i madh ndaj Serbisë për planin e saj strategjik të “Serbisë së Madhe” për aneksimin e Malit të Zi.

Ishte shpërblimi për Serbinë dhe për kishën ortodokse serbe, të cilët në gusht 2020 sollën në pushtet në Podgoricë frontin e bashkuar filoserb dhe filorus, që polli garniturën qeveritare, ku Abazoviç u bë në fillim zv.kryeministër dhe pastaj kryeministër i Malit të Zi.

Kisha ortodokse serbe përfaqëson në Kosovë shërbimin fetar për minoritetin e vogël ortodoks serb prej rreth pesë a gjashtë përqind të popullsisë së shtetit. Ky shërbim i saj fetar funksionon në një shtet të pavarur nga Serbia dhe në kuadrin e një shoqërie dhe të një popullsie, që nuk e lidh asgjë me Serbinë dhe as me kishën ortodokse serbe.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Populli shqiptar i Kosovës është me racë tjetër, me histori tjetër, me kulturë tjetër, me gjuhë tjetër dhe fe tjetër. Nuk ka logjikë të shpjegojë se si mundet një politikan, që formalisht është ende kryeministër, dhe i cili është shkarkuar nga parlamenti i Malit të Zi në gushtin e vitit të kaluar për shkak të asaj marrëveshje të dëmshme antimalazeze me kishën ortodokse serbe, që të propozojë të njejtën marrëveshje për Kosovën.

Nuk kemi mendimin se Abazoviçi nuk e din që kisha ortodokse serbe jo vetëm nuk  e njeh dhe nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, por është armikja kryesore aktuale e pavarësisë së Kosovës. Nuk kemi mendimin se Abazoviçi nuk e din që kisha ortodokse serbe ka qenë bekuesja dhe pjesëmarrësja e të gjitha kremeve të përbindëshme serbe në Kosovë, e gjenocidit, e masakrave dhe e spastrimit etnik antishqiptar në Kosovë.

Ai i din, por ka qenë i detyruar të bëjë në Prishtinë propozimin absurd fetaro-diplomatik të zbatimit nga Kosova të modelit Abazoviç të marrëveshjes me kishën ortodokse serbe. Nëse ndonjë i çartur do të ndiqte këshillën e çartur të mendjes së çartur të malazezit Abazoviç për marrëveshje të Kosovës me kishën ortodokse serbe, kjo do të sillte pranimin nga Kosova që të heqë dorë nga shtetësia dhe nga pavarësia e saj dhe të kthehet në kohrat e zeza të sundimit nga Serbia.

Sepse me marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Abazoviç në 3 gusht 2022 Mali i Zi humbet pavarësinë dhe shtetësinë e tij malazeze dhe kisha ortodokse serbe bëhet dominuesja dhe kontrolluesja e jetës politike, administrative, sociale dhe fetare në Malin e Zi. Pra, nëse ndonjë mendje e çartur në Kosovë do të dëgjonte këshillën e çartur të mendjes së çartur të Abazoviçit, kisha ortodokse serbe do të fitonte statusin i institucionit dominues të jetës politike, sociale dhe fetare në Kosovë.

Një marrëveshje si ajo e Abazoviçit me kishën ortodokse serbe do të konfirmonte të drejtën e sundimit historik të kishës pushtuese ortodokse serbe në Kosovë dhe do të përligjte të gjitha përrallat dhe mitet kishtare ortodokse serbe për Kosovën si djep i kishës serbe.

Propozimi absurd fetaro-diplomatik i kryeministrit të shkarkuar malazez Abazoviç që Kosova të zbatojë modelin e tij të nënshkrimit të marrëveshjes me kishën ortodokse serbe, mund të justifikohet vetëm si një mision i ngarkuar fetaro- diplomatik i Abazoviçit në shërbim të synimeve antishqiptare të kishës ortodokse serbe në Kosovë.

Ajo duhet të tërheqë vëmendjen e zyrave qeveritare dhe të institucioneve përgjegjëse të Kosovës si sinjal dhe paralajmërim të goditjeve të reja, që pritet t’u vijnë nga kisha ortodokse serbe dhe nga Serbia. Është tepër naive për të besuar se Abazoviç e paraqiti propozimin e tij të helmatisur si kryeministër i Malit të Zi. Është një mision i qartë kishtar ortodoks dhe diplomatik e shtetëror serb.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Propozimi i Abazoviçit në Prishtinë duhet parë në kuadrin e ofensivës së re të Serbisë dhe të kishës ortodokse serbe pë të realizuar projektin hegjemonist të të ashtuquajturës “botë serbe”, që është bashkimi me forcë i të gjithë pakicave serbe në rajon, bashkë me territoret ku jetojnë, nën kontrollin e Beogradit.

Serbia e realizoi fazën e parë që kishte të  bënte me sjelljen në pushtet në Podgoricë të garniturës qeveritare proserbe dhe proruse në gusht të vitit 2020. E konsolidoi sundimin e saj me marrëveshjen e Abazoviçit me kishën ortodokse serbe, ku Mali i Zi sanksionohet si trashëgim i pronësisë historike, juridike dhe shtetërore, dhe aktuale politike dhe kishtare e Serbisë.

Tani duket po nis faza e dytë, ku synohet të goditet pavarësia dhe shtetësia e Kosovës, nëpërmjet dhënies kishës ortokse serbe në Kosovë të njejtin rol dominues, që mori në Mal të Zi me marrëveshjen Abazoviç. Një marrëveshje e tillë do ta katandiste Kosovën me një status provincë koloniale të Serbisë.

Diplomatë të huaj të akredituar në Prishtinë u habitën se si u kujtua kaq vone Abazoviçi të vijë për vizitë në Kosovë, kur si kryeministër i një shteti fqinjë dhe që pretendon origjinë etnike shqiptare, duhet të kishte bërë vizitën në Kosovë, menjëherë pas vizitës në Serbinë mëmë. Por duket ai e ndjen se  nuk do të jetë më kryeministër pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe Serbisë i duhet që propozimi fetaro-diplomatik drejtuar Kosovës për të  nënshkruar marrëveshjen e tipit Abazoviç me kishën ortodokse serbe, të paraqitet e veshur me një plis shqiptar në kokën e propozuesit.

Plisi Abazoviç shkoi në Prishtinë  me mision kishtar dhe diplomatik në emër të Serbisë. Nuk ishte rastësi që kryeministri malazez i bëri një reklamë të habitshme në Prishtinë presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe u kërkoi liderëve të Kosovës që të plotësojnë kërkesat e presidentit serb, sepse sipas tij “nëse çeshtja nuk zgjidhet me Vuçiçin, do të kërkojë një kohë shumë të gjatë, kurse Vuçiç ka një stabilitet të madh politik në Serbi, dhe kushdo që të vijë pas tij do të jetë shumë e vështirë për disa çështje historike në sensin politik”.

Kjo ishte një paraqitje antidiplomatike dhe absurde e kryeministrit malazez, i cili lavdëron presidentin serb në Kosovë dhe bën presion mbi udhëheqjen e Kosovës që të pranojë çfarë i kërkon Vuçiçi dhe Serbia.

Propozimi fetaro-diplomatik i malazezit Abazoviç që Kosova të zbatojë marrëveshjen e tij me kishën ortodokse serbe përforcon bindjen e përhapur në mediat demokratike malazeze se ai është një produkt i kishës ortodokse serbe dhe i peshkopit të zi antishqiptar Amfilohije.

Nuk ka informacion nëse kryeministri i shkarkuar i Malit të Zi ua ka paraqitur propozimin e tij në takimet dypalëshe me udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë në 13-15 prill. Por fakti që ai zgjodhi ta bëjë presionin filoserb në ekranet kosovare, mund të merret si shenjë se propozimin e tij absurd Abazoviçi duhet ta ketë kthyer me zarf të pahapur në Podgoricë dhe në Beograd./DITA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *