Një president i penduar përballë gabimeve të tij
Shkruan Enver Robelli
Si ministër i jashtëm në dy kabinete të kancelares Angela Merkel, presidenti i tanishëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ka qenë njëri nga politikanët kryesorë në Berlin që ka formuluar me vite politikat kryesisht mirëkuptuese ndaj Rusisë së Vlladimir Putinit. Agresioni rus kundër Ukrainës më 24 shkurt i ka shembur politikat tolerante te Steinmeierit ndaj Rusisë.
Sot Steinmeier ka mbajtur në Berlin një fjalim pjesërisht vetëkritik. “Përballë të keqes nuk mjafton vullneti i mirë”, tha ai, duke e akuzuar Putinin për “obsesion imperialist”, i cili e ka bërë hi e pluhur rendin botëror. “Nëse e shikojmë sot Rusinë, nuk ka vend për ëndrra të vjetra. Vendet tona sot qëndrojnë kundër njëri-tjetrit”. Fjalimin e tij vetëkritik Steinmeier e mbajti pas vizitës në Kiev javën që shkoi – një vizitë që në pranverë kishte dështuar për shkak se presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski nuk pranoi ta presë Steinmeierin në Kiev.
Tani, pasi me sytë e tij ka parë pasojat e barbarisë ruse në Ukrainë, Steinmeier tha: “Një paqe që pranon grabitjen e tokës nga Putini nuk është paqe”. Një paqe e tillë “për shumë njerëz në Ukrainë do të ishte një sundim i tmerrit” dhe kësisoj njerëzit në Ukrainë do “t’i nënshtroheshin arbitraritetit dhe dhunës së pushtuesve të tyre rusë”. Një paqe e rrejshme, sipas presidentit gjerman, “do të rriste urinë e Putinit”.
Më 2016, atëbotë Steinmeier ishte ministër i Jashtëm në kabinetin e tretë të Angela Merkelit, ai kritikoi manovrat e NATO-s në krahun lindor të aleancës duke i quajtur me përçmim “parada tankesh”, “britma lufte” dhe “vringëllim shpatash”. Tani presidenti gjerman bëri thirrje për “shpirt rezistence” dhe “forcë rezistence” përballë rreziqeve që vijnë nga Rusia. Steinmeier po ashtu i mbrojti sanksionet kundër Rusisë. “Cila do të ishte alternativa? Të rrimë duarkryq përballë këtij sulmi kriminal? Të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë? Është në interesin tonë që me partnerët tanë t’i kundërvihemi shkeljes së të drejtës nga Rusia. Është në interesin tonë të çlirohemi prej varësisë nga një regjim që dërgon tanke kundër një vendi fqinj dhe energjinë e përdorë si armë. Është në interesin tonë ta mbrojmë veten dhe ta reduktojmë vulnerablitetin tonë. Askush nuk e ka thënë këtë më qartë dhe më shkurt se kryeministrja estoneze: ‘Energjia mund të bëhet më e shtrenjtë, por liria nuk ka çmim’”.
24 shkurtin Steinmeier e cilësoi si “kthesë epokale”, kjo datë, sipas tij, shënon “dështimin përfundimtar, të hidhur të përpjekjeve shumëvjeçare, përfshirë përpjekjet e mia, për të shmangur pikërisht këtë moment të tmerrshëm”.