“NJË PËRSHPIRTJE PËR MIKUN TIM TË SHTRENJTË, RINUSH IDRIZI”
Shkruan Fatos Kola (shkruar në vitin 2018)
Poeti dhe studiuesi Rinush Idrizi u lind 80 vjet më parë, më 14 gusht 1938. U nda nga jeta bash në vlagën e krijimtarisë letrare e studimore, në pjekurinë e plotë, në vetëpërmbajtjen emotive të vrullit të kahershëm poetik, inkandeshencës pedagogjike dhe thellësisë së gjykimit prej burri të moçëm, të cilit i mungonte më i pakompensueshmi mallëtim: atdheu dhe dashuria e pashuar për të, atje në Amerikën e largët.
Gjithë jetën e tij të gjatë krijuese shkroi poezi, studioi poetikën madhore të kolosëve të letrave shqipe si Mjeda (Mjedja), Migjeni dhe Poradeci. Krijoi dhe konsolidoi kultet, idolatrinë, hierarkinë dhe panteonin vetjak të letrave. Adhuroi dhe dashuroi pafund.
U nda nga jeta larg atdheut, shokëve e miqve, teksa përpinte thagmën dhe ohet e pambarimta të kolegëve poetë të mbarë planetit, duke peshuar me kandarin e studiuesit dhe gjykuesit të pakompromistë gjithçka prekte, lexonte e studionte.
Kreu studimet në fakultetin Histori-filologji (dega Gjuhë Letërsi), në vitet 1958-1962. Për shkak të cilësive dhe talentit të spikatur e emëruan si mësues letërsie në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku jetësoi ëndrrën e tij për të kultivuar tek nxënësit dashurinë për letërsinë shqipe, për korifejtë rilindas dhe jetën që ata frymëzojnë e motivojnë. Gjithçka në gjurmët e nënës së tij, gjithashtu mësuese e shquar.
Si mësues la gjurmë të thella në mendjet dhe zemrat e nxënësve të tij që e adhuronin asokohe,sikurse edhe sot, teksa me punën plot përkushtim e profesionalizëm skaliti personalitetin e tyre dhe u vulosi pasionin për letrat dhe gjuhën e bekuar shqipe.Për të nxënësit e tij ishin gjithçka, ndaj dhe u kushtonte gjysmën e ditës së Zotit, paraditen e deri mbasditen e vonë.
Gjithçka që Rinush Idrizi bënte dhe thoshte në shkollë e jashtë saj, përmbytej nga pasioni dhe dashuria për vlerat e mëdha njerëzore e krijuese.
Ai shpërtheu në kritikën letrare të kohës me kompetencën, inteligjencën dhe pjekurinë e një njohësi, vëzhguesi dhe vlerësuesi të ditur e të drejtë.Përbuzte klishetë dhe kiçet në krijimtarinë letrare, pasoja këto të konformizmit, mungesës së kulturës, shabllonizmit shpërblyes të mediokritetit dhe varfërisë metodologjike të zhdanovizmit të imponuar.
Natyrshëm kultivoi dhe rriti frymën kritike dhe antikonformizmin në krijimtarinë dhe studimet letrare, çka ra në sy të vijërojtësve censorë, që e ndëshkuan bash në kulmin e fushatës që shpërtheu pas Pleniumit IV të PPSH në vitin 1973.
E emëruan në një fshat të largët të Shëngjergjit, nga ku mund të vinte pranë familjes vetëm në fundjavë. Atje qëndroi deri në fundvitet ’80, për t’u afruar pranë familjes vetëm vitet e fundit të diktaturës, tashmë i stërlodhur nga intrigat dhe grackat e persekutorëve, për të gjetur ngushëllim tek familja, arkivat dhe pasioni për korifejtë e letrave shqipe e botërore.
Puna si arkivist në Arkivën e Shtetit e ndihi të qartësonte gjithçka në kozmosin e tij letrar dhe politik, teksa e vlerësoi të kaluarën si projeksion për ardhmërinë, duke u thelluar në filozofinë e historisë së letërsisë dhe botëkuptimit bashkëshoqërues të procesit krijues letrar e më gjerë…
Ai tashmë u shndërrua në mendimtarin dhe studiuesin e thellë, si dhe në poetin shkallmues, që rebelimin për shpërfilljen e vlerave njerëzore e letrare e kanalizoi kah një sistem vlerash krijuese e studimore, që më së fundi u kurorëzuan me dy veprat e tij të ripunuara monografike kushtuar Mjedës (Mjedjes) dhe Migjenit, të cilat sot i kemi të botuara me një cilësi të admirueshme, çka i nderon studimet e thelluara në fjalë.
Grafikisht, dy veprat lartësojnë përmbajtjen, qoftë prej meritës së piktorit të famshëm Naxhi Bakalli që ilustroi tre kopertinat.
Lartësim ky, qoftë edhe për shkak të pasurisë fotografiko-dokumentare e arkivore, me të cilat autori mbathi dhe gatoi përmbajtjen.
Me të drejtë studiuesit vlerësojnë si tregues i niveleve të larta studimore të dy monografive, edhe vjeljen dhe ngjizjen konceptuale në vepër të një pasurie burimore faktologjike që përfshin shfrytëzimin e një literature prej 62 titujsh si bibliografi…
Të dhëna këto autentike, e që në shumicën e tyre dalin në dritë për herë të parë. Po sipas studiuesve, skrupuloziteti dhe dashuria për personazhet të cilëve u blatoi veprën, e shtyu profesor Rinushin të hulumtojë e të kualifikojë mjeshtërisht të dhënat e rralla të marra deri edhe nga arkivat private në Shkodër e Vjenë.
Pas punës së tij titanike dhe gjuhës së thuktë të një studiuesi që e njeh dhe e përdor si askush fjalën dhe semantikën e shqipes hyjnore (vërtet “Gjuhë perëndish”), kolosët e letrave shqipe na duken më të ndritshëm se kurrë e të brendësuar në gjuhën dhe zemrat e një populli që i deshi dhe i adhuroi.
Thënë ndryshe, kësisoj, Rinush Idrizi solli dhe lartësoi në shpirtërat tanë përmendoret e dy prej baballarëve të kombit, të kulturës e qytetërimit tonë, me të cilët plot xhelozi kërkuan të rivalizojnë diktatorucët e despotët nëkulturë dhe arte.
Kur krijuesit nuk i jepet ndonjë projekt-porosi, përzgjedhja që ai i bën personazhit të cilit i dedikohet, dëshmon formatin e njimendtë krijues, botëkuptimin dhe rrugën në të cilën ai ka vendosur të rrugëtojë, me idealet dhe vizionin që ai ka si yll polar.Dhe Rinush Idrizin e nderon dhe e lartëson përzgjedhja e tij.
Por për shkak të përzgjedhjes në fjalë, ngaqë shpirti operon me botën transhedentale që beson dhe të cilës i përket, thuhet se ekziston një lidhje metafizike midis këtyre 3 personazheve, shprehur çuditshëm në raporte kohore :
a) Më 1 gusht 1937 ndërroi jetë Ndre Mjeda (Mjedja);
b) Plot një vit më pas, më 26 gusht 1938 ndërroi jetë Migjeni;
c) Më 14 gusht 1938 lindi Rinush Idrizi, që ndërroi jetë me 17 tetor 2008;
d) Ndërsa Migjeni lindi më 13 tetor 1911.
Po çfarë përfaqëson Rinush Idrizi si poet dhe çfarë ishte për të trualli letrar ku ai gjalloi dhe kulmoi? Poezia për të është hapësira ku shpirti i poetit lind…
Dhe pasi poeti ndërron jetë, ky shpirt shndërrohet në energji artistike që endet në kozmosin letrar e kulturor duke bartur dhe përcjellë kodet dhe mesazhet e poetit në monologje të shprehura përjetësisht në gjuhë perëndish.
E në ndodhtë që vargjet e poetit antikonformist e të censuruar të botohen ndonjë ditë, atëherë monologjet e dikurshme të tij me vetveten dhe unin poetik shndërrohen në dialogje me lexuesin, që gjithmonë arrijnë të zbulojnë shpirtin e poetit dhe shkaqet fundore të censurës prej pushtetesh okulte.
Por mosbotimi nga censura është një dramë e vërtetë për poetin e ndaluar, dhe një dramë të tillë e përjetoi edhe poeti e studiuesi Rinush Idrizi, teksa,edhe “për faj të tij-ndikimit”, bash asokohe poetë të tjerë e përjetuan si tragjedi dhe e paguan edhe me jetë moskonformimin me diktaturën dhe parimet zhdanoviste në krijimtarinë letrare.
“Pakti i poetit me djallin e dëmtonte poezinë, kurse pakti i tij me ndërgjegjen për të mbetur vetvetja, ose i ndihte censorët për ta shtyrë atë në theqafje humbëtirash shpesh pa kthim, ose e linte poezinë e tij në heshtjen e fshehjes”, – shkruan bindshëm një studiuese bashkëkohëse me poetin.
Poeti nuk mund të konformohet. Poeti ose është vetvetja, ose nuk është poet.Ndaj dhe antikonformistin Rinush Idrizi refuzuan ta botojnë në vitin 1963, kur dërgoi për botim një vëllim me poezi.
E refuzuan pa droje, duke i thënë se ishte “larg realitetit të shkëlqyer socialist, ndaj dhe nuk e njihte dhe pasqyronte sa e si duhej në krijimtarinë poetike…”. Por e vërteta qëndronte në faktin se ai refuzonte së brendshmi ta njihte dhe pranonte atë realitet të dhunshëm, që përthyhej përgjakshëm në sytë e shqyer dhe pejzat e shpirtit të tij.
“Rinushi nuk mendonte se ndonjëherë do t’ia botonin poezitë. Por ai, siç shprehej në një varg, varte në buzë një buzëqeshje për të fshehur trishtimin, dhe vazhdonte të shkruante në skeda, me stilografin e tij…Skeda ishte çarku i emocionit, i mendimit, i tharmit të tij poetik. Kurse stilografi ishte thepi i çarkut. Skeda ia përpinte fjalën, momentin, pasionin, dashurinë, kujtimet, heshtjen dhe ankthin e varrosur thellë”, – shkruan studiuesja, që, mesa duket, e njeh më shumë se të gjithë ithtarin e përvuejtun të letërsisë.
Por pavarësisht thëthitjes prej studimeve letrare, i imponuar nga magjia e tre kolosëve, Mjedës (Mjedjes), Migjenit dhe Poradecit, Rinushi nuk mund të rrinte pa monologuar me vetveten dhe pa dialoguar me lexuesit e adhuruesit e shumtë, sidomos me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, ata të fshatit ku e degdisën kërcënueshëm, dhe me studentët e Gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës pas rrëzimit të monizmit.
Me skedën dhe stilolapsin e tij ai ndihej i lirë, thoshte dhe shkruante atë që ndiente, përjetonte ditën dhe natën, ndjenjën, dashurinë, buzëqeshjen, lotin, dhimbjen dhe vrazhdësinë.
Shumë nga skedat e tij humbën kur dy shokët më të ngushtë ia arrestuan, ngaqë ata i asgjësuan para arrestimit.Pavarësisht dëshpërimit dhe dhimbjes që frymonte dhe ulërinte në vargjet dhe skedat e tij, si formë e rebelimit ndaj realitetit të papranueshëm, ai kundërvihej me dashurinë e pamatë për familjarët, nxënësit e shtrenjtë dhe miqtë.
Dashuria e tij për nxënësit dhe studentët që mësonte, ishte plot dhimbje dhe i ngjante dashurisësë Migjenit për “Lulin e vocërr” dhe shokët e tij.
E tillë ishte edhe dashuria e tij për miqtë e ngushtë, të cilët asokohe dhe sot përfaqësojnë fashën më elitare të shoqërisë shqiptare, teksa bëhet fjalë për të tillë si : Naxhi Bakalli, Ilir Haxhirexha, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Harallamb Qesko, Vaso Samsuri, Gavril Priftuli, Besnik Sopoti, etj..
Miq që kurrë nuk e tradhtuan poetin dhe atdhetarin e zjarrtë, studiuesin skrupuloz dhe polemistin e shkëlqyer që shndrinte me forcën e argumentit dhe logjikën e pathyeshme.
Ata nuk u tutën nga rreziku që përfaqësonte uragani Rinush Idrizi, por e deshën fort dhe ia mësuan përmendësh poezitë dhe mendimet e krisura e me konotacion të fortë politik dhe antizhdanovist.
Rinush Idrizi ishte tejet i qartë në bindjet e tij profesionale dhe atdhetare. Ishte i palëkundur në to, pavarësisht studimeve të rrymave të shumta të mendimit dhe grackave logjike e epistemologjike që gëlonin në literaturën e ndaluar dhe teoritë e mendimet që ai studionte, shkëmbente e debatonte me miqtë e bashkidealistët.
Si poet, studiues dhe intelektual atdhetar i angazhuar, në vitin 1991 Rinush Idrizi kontribuoi si drejtuesi më i lartë i gazetave kombëtariste të djathta (gazetat “Kosova” dhe “Balli i Kombit”), ku krahas bashkëmendimtarëve shkëlqeu me ide dhe teza që asokohe tmerruan politikanët injorantë të të dy kampeve.
Të tilla ishin ato që u artikuluan qartazi dhe në momentin më krucial për zgjidhjen e Çështjes sonë Kombëtare dhe për rëndësinë madhore të faktorit shqiptar në Ballkan, si garantues i paqes dhe stabilitetit.
Teza dhe qëndrime këto,që pasi u mallkuan dhe u shoqëruan me ndëshkime e luftë të paprinciptë ndaj autorëve, sot artikulohen paturpësisht me mburrje nga ndëshkuesit, duke mohuar autorësinë, pararendjen plot shkëlqim dhe kompetencën e atyre burrave mendjendritur, në mes të të cilëve ish pozicionuar profesor Rinush Idrizi.
Por Rinush Idrizi dhe “takëmi” që e rrethonte, kishin qenë gjithnjë pararendës dhe kurrë “avanguardistëmodistë dhe ekzibicionistë” të zhurmshëm, pa thelb e vepra, apo me kërrenja qesharake përkohësie, që ranë bashkë me stinën e parë.
Rinush Idrizi do të mbahet mend në letrat shqipe dhe do të mbetet në mendimin filologjik, sociologjik e politik shqiptar si krijues tejet serioz dhe i peshës së rëndë, si mendimtar që shkëlqeu në udhëkryqet e historisë sonë të dhimbshme të fundshekullit të kaluar dhe të këtij fillimshekulli.
Atij mund t’i adresohet meritueshëm përcaktimi “intelektual i brezit të humbur”, ngaqë përpjekjet e tij e të bashkëmendimtarëve idealistë nuk u kurorëzuan, për shkak të rrethanave absurde në sfondin e një destini historik tragjik mbarëshqiptar.
Rinush Idrizi e meriton të përkujtohet plot nderime për gjithçka
dha për vendin, qytetërimin dhe kulturën kombëtare.
* “POETI RINUSH IDRIZI” (detaj nga memoriali i tij) viti i krijimit -2017, materiali – polimermer, dimensioni (60 x 75 x40 cm)
Rruga Press