Editorial

Një minutë heshtje e “politikës” hipokrite

Shkruan Hana Mitrovica

Të enjtën më 23 shtator, deputetët e Kuvendit nisën seancën plenare me një minutë heshtje në nder të minatorit 61 vjeçar, Muharrem Plaku. Ky ishte minatori i cili humbi jetën tragjikisht javën e kaluar, në galeritë e minierës së Bulqizës. Qe i ngujuar në njërin prej nënkateve, nën peshën e masivit të xehes së kromit. I zënë nga masa minerare ditë me radhë në thellësitë e horizonteve nëntokësorë. Si pasojë e kësaj rrethane tragjike, jeta e minatorit u shua.

Fajtori? Si zakonisht ‘jetim’! “Hetimi në vazhdim.” Dy persona janë arrestuar por, këtë herë drejtësia eziton diçka më shumë. Për veprime të mëtejshme, materialet procedurale janë në Prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Dibër.

Muharrem Plaku u gjet i pajetë vetëm pas përpjekjeve të mundimshme disa ditore, i lënë nën mëshirën e fatit dhe fuqisë modeste të vullnetit të madh të shokëve të punës. Forca këto që për fat të keq rezultuan të pamjaftueshme kundrejt masës nën të cilën minatorët punojnë përditë, ballë rrezikut të vazhdueshëm nga shembja, e në mungesë të mbrojtjes dhe sigurisë në punë.

Kolegët nuk munguan për asnjë çast. Porse, ishin të privuar nga çdo asistencë profesionale, institucionale, apo strukturë administrative e autoriteteve të specializuara relevante për operacione të shpëtimit. Pa mjete teknike lehtësuese, makineri dhe pa ndonjë strategji për të vepruar më shpejtë e më efektshëm sipas një rendi e protokoli. Ndaj dhe nuk mjaftoi përpjekja, e minatorët mbetën të pafuqishëm për ta shpëtuar jetën e shokut të tyre.

Kuvendi, pa pritur e pa u kujtuar, në një edicion të radhës së hipokrizisë ceremoniale të depupacove parlamentarë, përnjëherazi futi në të njëjtin log njëminutësh komemorativ edhe minatorin – viktimë të para disa ditëve bashkë me viktimat tjera, prej vitesh të harruar : sepse të gjithë të vrarë në vendin e punës.

Cila është arsyeja e gjithë këtyre vdekjeve në vend të punës ? Neglizhenca institucionale dhe mungesa e zbatimit të ligjeve për mbrojtjen dhe sigurinë e shëndetit dhe jetës në punë, natyrisht.

Kjo është evidente. Përditë e më i kjartë po bëhet mekanizmi i sistemit anihilues neo-liberal, krejtësisht i dehumanizuar në procesin e “organizimit” të punës. Aty vlera e njeriut, punëtorit IN PRIMIS, është e barabartë me zeron në të majtë. Gjithë e më antagonist dhe kundrejt interesave që do duhej të ishin koordinuar enkas për mirëqënien e atyre që punojnë. Që janë prodhues dhe gjenerues të drejtëpërdrejtë të përfitimeve për shtetin, pronarët e tyre porsi edhe për mbarë shoqërinë. Pra, punëtorët. E për ta s’ka vend askund. Punëtorët i kemi lënë të harruar në fund të pusit. Inekzistentë për cilindo koncept politik që do t’i përfaqësonte a mbronte ! ‘Ra ky mort e u pamë’, do të shkruante Kadare.

Ngahera zhveshur nga vlerat etike dhe morale njerëzore në raportin : punëdhënës e punëmarrës, sistemi tashmë i shërben krimit të sistemuar. Kryekëput kundër inetersit të punëtorëve. Sistem në dukje e në praktikë porsi dhe shkencërisht i koordinuar në disfavor të plotë ndaj fuqisë punëtore.

Me rastin e humbjes së jetës së minatorit Muharrem Plaku, nën masivin e horizontit të dhjetë të nëntokës minerare në Bulqizë, duke na sjellur detaje trishtuese, u shpreh edhe komuniteti i organizuar për ‘Të drejtat e punëtorëve në Shqipëri’ me sa vijon :

“Sipas ekspertizës mjekoligjore, vdekja e minatorit Muharrem Plaku ka ardhur si pasojë e asfiksisë në galeri.” – prononcohen ata. “Kjo e bën edhe më të rëndë ngjarjen, sepse për orë (ose ditë) të tëra ai ka jetuar me shpresën se herët a vonë, shteti i tij ose pronari që pasuronte, do ta shpëtonin. Por, të vetmit aty ishin shokët dhe bashkëqytetarët e tij, që për pesë ditë me radhë gërmuan me tre turne derisa e gjetën”, pas shumë ditësh. “Në të tilla raste duket se punëtorët nuk kanë askënd për krahu veç njeri-tjetrit, prandaj duhet të bashkohen për t’i përmirësuar kushtet e për t’i ndaluar vdekjet.” – konkludon organizata TDPSH

Pra, ndodhi pikërisht ajo që po druanin të gjithë ata të cilëve iu ka mbetur nji trohë fytyrë njerëzie dhe një grimë ndjesie e brengosje, për ta kuptuar realisht peshën e tragjedisë e cila po zhvillohej para syve të tyre, nga ora në orë, diku thellë, në galeritë nëntokësore të Bulqizës. Ajo, fatkeqësisht për komunitetin, po merr hejallën ogurzezë, përditë e më shumë.

S’do mend përfytyrimi i skenarit të tmerrshëm kur njeriu gjendet ballëpërballë e sy më sy me vdekjen, në të tilla rrethana, nëntokë.

E gjithë kamja minerare e mbuloi minatorin pikërisht në momentin kur e vetmja pasuri për te dhe për cilindo tjetër që do të gjendej aty, do të ishte dëshira për vetëm pakëz ajër, një rreze drite për shpresë shpëtimi, qoftë dhe vetëm një dorë e vetme që do t’i shkonte në ndihmë.

Por, jo! “Grupi i havari-shpëtimit ka vijuar me kërkime gjatë gjithë kohës”, do të raportojnë mediat, e “për shkak të sasisë së madhe të mineralit të shembur, ishte e vështirë të arrihet në zonën ku ndodhej minatori.” Nuk arriti dora e shpëtimit për minatorin Muharrem Plaku !

Shokët e tij shihen nëpër videoregjistrime teksa shtyjnë karrocat me turne njëri pas tjetrit. Të dërrmuar sa s’bën. Pa mbështetje me makineri mazhore për t’u dalë në ndihmë. Sado që thuhet se zona qe e pakalueshme sepse e bllokuar nga masivi i shembur. Në ato situata, prezenca dhe përqëndrimi i ndihmës së specializuar është imperative.

Në disa regjistrime shihet një tjetër grup me kominoshe pune. Duart në xhepa ineptë nga fakti se poshtë nën këmbët e tyre një qënie njerëzore po lufton ndoshta për frymën e tij të fundit. Pyes, a jemi akoma njerëz apo permutacionet gjenetike janë aq seriozisht të thella sa që kanë arritur kufirin alarmues ?

Dukej të ishin pikërisht ata – organe kompetente – që do të duhej të japin ndihmën më të madhe, sidomos kur dihet se faktorët përgjegjës kryesorë nuk dukeshin gjëkundi : as pronari as shteti. Me rëndësi ? “Hetimet vazhdojnë” . . .

Gjasme kishte edhe që kanë defiluar sa për sy e faqe. S’dihet. Nuk merret vesh nga errësira që ka kapluar Bulqizën tonë.

Kjo, thuhet të ketë qenë pak a shumë, e tëra sa i përket sforcimit të strukturave ‘të specializuara’ për ta shpëtuar jetën e minatorit i cili sot nuk jeton më.

Po ligjvënësit? Ekzekutivi? Organizata e lloj-lloj politikëbërës? Rrjete sindikale, shoqëri civile, OJQ-të e gjer te krerët e shtetit, dhe sidomos këta të fundit ? Super-yjet e mediave.

Për ta shikuar drejt në sy përgjegjësinë që u takon, nuk iu bëka vonë as atëherë kur njeriu jepka shpirt.

Zëra sporadikë ngritur simbolikisht si zakonisht nuk mungonin. Kor i mirëkoordinuar. Orkestër e përkryer bile. Mirëpo, zyrtare, asgjë ! As raporte për ndonjë telefonatë nga institucionet, udhëzim emergjent, këshillim, apo ngjajshëm. Asgjë.

Pse a mos duhet të prishet rrahatia neo-feudale e hipokritëve të politikës mondane. Përse ? Për ta shpëtuar një jetë e cila deri në frymën e fundit punoi pikërisht për t’i pasuruar ata. Sa ? Dhjetëra syresh. Aso jetësh parasitare : kaviar, Cristal Champagne, kallamari e kollare . . . Epo, mjaft !

E sheh nga jashtë situatën, tërë ankthin e shokëve të punës të minatorit të ndjerë, duke gërmuar duarlakuriq. Përgjatë pesë, gadi 6 ditëve të plota, i tërë komuniteti i Bulqizës i jetoi ethet e tmerrit, emocione të përziera me shpresën mbase minatorin Muharrem Plaku po e shpëtonin shokët e punës. Se, sa për shtetin dhe shoqërinë ? Harroni! Askund në horizont. Mendja tek argëtimi dhe tifozeria janë më me rëndësi.

Kishte edhe të tillë që mendonin se ndoshta do t’ia dilte, do t’ia hidhte vdekjes edhe këtë herë sepse me vite të tërë pune, masa më e mirë “e sigurisë” që e përcillte në minierë ishte urata “Fat paç!” dhe kaq. Asnjë garancë për jetën e tij dhe të kolegëve. Bulqiza e minatorit : lemeri e llahtar edhe i dëshmitarëve okularë. Gjithandej.

Sa njerëz u vendosën në pozitën e minatorit ‘të vorrosun për së gjalli’ ? Sa veta u përpoqën ta bëjnë këtë ? Sa njerëz sot e pyesin vetën se për çfarë kohëzgjatje ankthi bëhet fjalë ? Sa gjatë e shikoi mordjen në sy shoku, kolegu, miku, familjari, qytetari, bashkëkombasi Muharrem Plaku, minatori ynë i ndjerë ! Sa?

Shteti ndoshta e sheh si vetëm edhe një fatalitet të radhës por, gjithsesi i parandalueshëm.

Në këtë shekull aq të përfolur për arritjet shkencore, teknologjike, inteligjence e sidomos i vetëdijes paksa më të ngritur njerëzore. Për një iotë. Shekulli XXI, miq të dashur !

Aktualisht, të dhënat zyrtare shënojnë 59 minatorë viktima të lakores në rritje të vdekshmërisë në vend pune, dhe kjo vetëm në 8 vjetët e pushtetit të fundit. Sipas disa informatave, masa e vetme ndëshkuese që u ndërmor në lidhje me vdekjen e minatorit, ishte arrestimi i inxhinierit dhe drejtuesit teknik të kompanisë përgjegjëse “KADURTEX”.

Në krye jave, që nga ngjarja tragjike, kur te njëri nga nënkatet e segmentit minerar është shkëputur dhe shembur masivi i lëndës së parë, respektivisht i xehes inerte të kromit, rikujtohet opinioni i gjërë publik se siç u vërtetua e u pa, masa sigurie për minatorët në ato

galeri nuk ka. Madje, duket se kishin munguar edhe dy shtyllat mbajtëse tavani në njërën nga galeritë, pos tjerash. Këto dhe detaje tjera, pritet të dalin në shesh në vijim. Kur ?

Për raste të këtilla, mjete të cilësisë mekanike, teknike dhe teknologjike, forcë e fuqi, për minatorët, po ashtu nuk ka në dispozicion. Ose të paktën duket se udhëheqësisë së shtetit nuk i bëhet vonë. As për lidhje adekuate komunikimi me thellësitë e galerive të minierës nuk po bëhet fjalë. Njeriu i shpellës parahistorike paskësh qenë më i sigurtë sesa minatori i shekullit të sotëm.

Problemi është i shumëfishtë. Sistemik e strukturor, sistematik, e nuk premton kurrë një gjë për minatorët, që pos tjerash presin shqyrtimin e çështjes së Statusit të Minatorit në Kuvend, pasiqë për këtë kanë dorëzuar peticionin me afro 11,000 nënshkrime, në fund të vitit 2020. Duke mos harruar edhe kandidaturën e minatorit të Bulqizës për deputet i cili ishte ndër më të votuarit nga radhët e të pavarurve në zgjedhjet e 25 prillit. Megjithate, rikujtojmë se rreth 83,000 vota qenë shpallur të pavlefshme. Kuotë e mjaftueshme nëse jo e plotëpjestueshme me numrin e kandidatëve të pavarur në përfaqësim të qytetarëve. Ndoshta tash do ta kishin vendin e tyre të fituar në parlament. Secili nga të katërtit. Një digresion i vogël, sa për ilustrim.

Nuk e kap dhe thjesht nuk e pranon dot imagjinata faktin se minatorët, punëtorët, njerëzit dhe mbarë shoqëria e shteti janë të lënë në mëshirën e një grushti përfituesish oligarkë dhe fatit e faktit se në secilin cep e hap të vendit, ka mungesë të kompetencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale. Pa mbrojtje dhe pa siguri, sidomos në vend pune !

Dhe sinqerisht ta pyesim njëherë vetën të gjithë : sa dhe si vepruam gjersa e dinim se NJERIU po e shihte vdekjen me sy në minierë ? E vërteta ? Dështuam ! Dështuam ta shpëtojmë një jetë njerëzore. Ka mundur të jetë cilido i radhës ! Dje Muharrem Plaku – MINATOR që mbante një botë të tërë mbi supe duke i sjellur përfitime “KUJT”? Nesër? “Kush”?

Nga video-reklamimet e politikanëve plot pompozitet mbi skemat panoramike simotra të bregdetëve, movidave botnore e të “progresit” betonistik që ngulfat frymën e Shqipërisë gjithandej, u servohen e transmetohen gjithë ditën e natën e lume në etër qytetarëve, duke shitur një botë përallore që de fakto nuk ekziston. Pluhur, e dikush do të thoshte se Shqipëria vërtetë na qenkësh një El Dorado në miniaturë. Po si jo ! Natyrisht, sepse e ka tërë potencialin, vetëm po ta kishte edhe udhëheqësinë si duhet. Për shembull një që do ta vlerësonte pikë së pari qytetarin e fuqinë punëtore, dhe mbi të gjitha jetën e tyre ta kishte në rend të parë, mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e jetës.

Mendohet se ekzistojnë mjaftueshëm forca e fuqi : shtetërore, administrative, institucionale, të shoqërisë civile, OJQ-ve, ato sindikale, organizata punonjëse . . . njerëz e shoqëri !! Me siguri. Po shumë mirë, dhe ku janë kur qytetari dhe punëtori, kanë nevojë për ta ?

Sa gabim që paskemi bërë kur besonim në këto struktura baraz me inekzistente : gabim trashanik ! Nuk jep kush më llogari – dhe mos mendoni se arrestimi i ndonjë inxhinieri a

drejtoruci e tekniku do t’i bëjë nderë drejtësisë dhe ligjësisë në realizim de iure impotente ! Jo.

Ditën e frymëmarrjes së fundit për minatorin e Bulqizës, Muharrem Plaku, shteti e shoqëria qe çdo ditë në nevojë për shfrytëzimin e fuqisë së minatorit, aq lazëm se për ta siguruar ekzistencën e përgjithshme të secilit, e nuk ishin prezent aty dhe atëherë, të vetmen ditë kur minatori pat nevojë për ta.

Ani se irrelevante karshi humbjes së jetës së njeriut, megjithate pak do të kishte qenë : 1. Funerali me nderime të larta shtetërore; 2. Minatori të nderohet post mortem e për funeral të përkujdeset shteti dhe 3. jo më pak e rëndësishme – shteti ta merr në përkujdesje materiale dhe financiare familjen, me sigurim financiar, shkollim dhe punësim të familjarëve !

Një normë logjikisht e nënkuptuar.

E në seancën e radhës në Kuvend, urgjentisht të miratohet STATUSI I MINATORIT që do t’i merrte në përkujdesje institucionale dhe të garantonte mbrojtjen e tyre të plotë !

Për minatorin tonë, ngushëllime familjes, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve!

Ngushëllime të sinqerta edhe shekullit XXI

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *