Një lajm i mirë për Kievin, Gjermania gati të lejojë Poloninë dhe vendet e tjera të dërgojnë tanke Leopard në Ukrainë
Ndoshta lajmi më i madh në ditët e fundit rreth përpjekjeve të vazhdueshme të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër Rusisë ka qenë çështja e dërgimit të tankeve të prodhimit gjerman në Kiev.
Dhe ndonëse nuk ka thënë se do të dërgojë tanket Leopard 2, si dhe duke bllokuar gjithashtu vendet e tjera që ta bëjnë këtë – Berlini tanimë ka dhënë një sinjal për ndryshim në qëndrimin e tij.
Në atë që do të ishte një përparim për Ukrainën, ministrja e Jashtme e Gjermanisë tha se vendi nuk do paraqiste ndonjë pengesë nëse Polonia do të dëshironte të dërgonte tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë.
Gjermania “nuk do të pengonte” nëse Polonia ose aleatët e tjerë do të kërkonin leje për të dërguar tanket e tyre Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë, citohet të ketë thënë ministrja e Jashtme Annalena Baerbock të dielën.
Baerbock, megjithatë, theksoi se “nuk na është kërkuar deri më tani” nga Polonia për një leje të tillë. “Nëse do të pyeteshim, ne nuk do të ishim pengesë”, ka shtuar ajo.
Lajmi do të vijë si një mbështetje e fuqishme për Kievin, pasi ai kërkon të forcojë forcat e tij përpara një ofensive të re të pritshme ruse.
Ndryshe, njëmbëdhjetë muaj pas fillimit të agresionit rus në Ukrianë, luftimet janë të përqendruara në qytetin e Bakhmut.
Ministria ruse e mbrojtjes tha për të dytën ditë me radhë të dielën se forcat e saj po përmirësonin pozicionet e tyre në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia, megjithëse një zëdhënës i ushtrisë ukrainase i tha transmetuesit shtetëror se situata atje ishte “e vështirë” por e qëndrueshme.
Rruga Press