Një katarsis për ne!
Profesori universitar, Bajram Kosumi së fundmi ka bërë një recension mbi librin “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” të Enver Dugollit të botuar në vitin 2019.
Kosumi ka thënë se është penduar që këtë libër nuk e ka lexuar më parë. Profesori ka thënë se ka dëgjuar plotë rrëfime për burgun serb të periudhës së Millosheviqit, por më në fund Enver Dugolli e solli mozaikun e plotë. Sipas tij, Enver Dugolli me këtë libër sjell rrëfimin e plotë për burgun serb të Millosheviqit në Nish, në Mitrovicën e Sremit, në Pozharevc, në Dubravën dhe Lipjanin e Kosovës.
“Ai sjell rrëfimin e tij, atë që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar nga dita e arrestimit, më 27 janar 1997, deri në ditën e lirimit, më 9 mars 2001”, ka shkruar Kosumi.
Recensioni i plotë mbi librin “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”.
Shkruan Bajram Kosumi
Dje dhe sot e lexova librin Qark i (pa)mbyllur burgjesh (2019) të Enver Dugollit. Zakonisht nuk ngutem të lexoj libra që sapo dalin nga shtypi, i nxitur nga përvoja që librat për të cilët ngrihet shumë pluhur menjëherë pas shtypi, kryesisht, janë libra modestë me marketing të madh. Kësaj radhe më zhgënjeu përvoja. U pendova që s’e kam lexuar më herët librin e Dugollit. Unë iu hakërreva kot autorit që s’ma kishte sjellë librin, deri sa e ndjeja një barrë faji që s’e kërkova librin më herët dhe s’e përjetova atë rrëfim të gjatë e të plotë për burgun në periudhën e Millosheviqit.
Kisha dëgjuar plotë rrëfime për burgun serb të periudhës së Millosheviqit. Duke qenë edhe vetë i burgosur politik nga viti 1981 deri në vitin 1990, pra me një interes të veçantë, pata rastin të dëgjoja më shumë se një herë rrëfime tronditëse e të llahtarshme, por të gjitha ato ishin copa të shkëputura, pjesë e një mozaiku të mizorisë, të organizuar nga maja e pushtetit të Serbisë.
Më në fund Enver Dugolli e solli mozaikun e plotë. Libri i tij nuk është torzo. E sjell rrëfimin e plotë për burgun serb të Millosheviqit në Nish, në Mitrovicën e Sremit, në Pozharevc, në Dubravën dhe Lipjanin e Kosovës. Ai sjell rrëfimin e tij, atë që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar nga dita e arrestimit, më 27 janar 1997, deri në ditën e lirimit, më 9 mars 2001.
Edhe pse nuk është shkrimtar me profesion, ky rrëfim i tij e bën librin një prej prozave shqipe më të bukura për burgun. Sigurisht ky nuk ishte qëllimi i tij, si autor, sepse ai rrëfen për të dëshmuar të vërtetën e fatit të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet serbe gjatë kohës së luftës. Rrëfimi i Enverit është realist, gati faktografik, por është aty edhe përjetimi personal i çasteve të caktuar që i jep tekstit përmasën psikologjike, kulturore dhe letrare. Mbi të gjitha bie në sy drama e madhe që luhet në teatrin real të burgut. Ajo është drama që nuk mund të kuptohet nga mendja normale, sado bukur të rrëfesh dhe sado vëmendshëm të lexosh. Mendja e shëndosh nuk mund t’i pranojë si reale skenat e krimit të pandërprerë, të orkestruar nga makineria kriminale e Beogradit, mbi të burgosurit shqiptarë, në vitet 1999-2000. Drama është aq e madhe, sa që ka përmbysur konceptet për jetën dhe ligjet e saj: të burgosurit e konsiderojnë normale rrahjen, “shpalirin”, urinë, vrasjen me armë etj. dhe, është e kundërta, kur këto mungojnë atyre u duket se diçka qenka jashtë rendit të përditshëm të makinerisë vrastare.
Drama është aq e madhe, sa duket e pabesushme. Nuk mund të duket e besueshme dhe reale skena e grumbullimit të forcave policore, paramilitare dhe të serbë lokalë me traktorë, me kamionë e makineri të tjera rreth murit të Burgut të Dubravës, që të mund të hipnin në ta dhe të vrisnin të burgosurit shqiptarë brenda mureve të burgut. Nuk mund të duket reale skena e daljes së Ukshin Hotit nga deriçka e burgut dhe fjalët e tij të fundit thënë shokëve “Së shpejti do të shihemi!”, duke ngritur dy duart lartë në shenjë përshëndetjeje dhe zhdukja e tij e përjetshme menjëherë aty pas derës së burgut. Jo vetëm lexuesit, por edhe vetë autorit të librit i duken ireale ato skena. Kur ballafaqohet më këto skena, ai kujton filmat në të cilët vriteshin pengje, burra e gra, fëmijë e pleq, dhe mendonte (atëherë!) se “skenari edhe mund të jetë i ekzagjeruar”. Tash po i ndodhte mu para syve, mu atij dhe shokëve të tij, skena edhe më të përgjakshme.
Fatkeqësisht, reale janë të gjitha ato skena. Të vërteta. Fjala është për rreth një mijë të burgosur politikë shqiptarë, gjatë luftës të mbajtur si pengje, të përdorur si karrem për bombat e NATO-s, për ta akuzuar atë për vrasjen e civilëve shqiptarë, por kur ky plan dështon pjesërisht, makineria vrastare e Beogradit organizon vrasjen e tyre masive, me ç’rast vriten rreth njëqind të burgosur. Dhe, si e dëshmon Enveri, ky plan koordinohet nga maja e piramidës në Beograd, në mos nga vetë Millosheviqi. Libri i Enverit e dekonstrukton deri në detaje këtë piramidë vrastare dhe faji nuk mbetet jetim. Ky libër mund të shërbejë njëkohësisht edhe dëshmi për secilin prokuror për të ndjekur gjithë ata kriminelë të përfshirë në vrasjet e të burgosurve politikë shqiptarë.
Problemi është praktik dhe është shkruar në lëkurën e njerëzve të vërtetë. Por, problemi është më i rëndë edhe në nivelin filozofik e sociologjik: cili është kuptimi i mizorive të pafundme të ushtruara nga pushteti i Serbisë mbi të burgosurit politikë shqiptarë. Është e saktë ajo që thonë Hydajet Hyseni e Liburn Aliu, në parathënie e pasthënie të librit, se duke qenë e vetëdijshme se pavarësia e Kosovës buron origjinalisht nga të burgosurit politikë shqiptarë, kreu serb u hakmerret në mënyrën më të mundshme mizore në përfundim të luftës. Por, kjo nuk është e mjaftueshme si përgjigje, së paku në aspektin e filozofisë së ekzistimit të burgut, ashtu si e dëshmon Mishel Fuko në studimet e tij. Burgu është krijuar për të zbutur mizoritë mesjetare mbi kriminelët dhe gjykimi me burg në shoqëritë moderne, nga shekulli XIX e këndej, merr kuptimin e korrigjimit të individit nga krimi i bërë. Nëse të burgosurit politikë shqiptarë janë dënuar me burg për të vuajtur veprimet e tyre kryengritëse, politike ose të armatosura, cili është qëllimi i mizorive deri në shfarosje totale të tyre brenda mureve të burgut? Përgjigja në këtë pyetje nuk është e lehtë dhe nuk mund të kuptohet vetëm me urrejtjen antishqiptare të politikës serbe. Ka diçka më të thellë, ndoshta të barazueshme me mendësinë dhe filozofinë e nazizmit gjerman për zhdukjen e racës hebreje gjatë Luftës së Dytë.
Rrëfimi Dugollit ka një mjeshtri të hollë edhe në paraqitjen paradoksale të gjithë kësaj drame. Mjafton të përmendim takimin paradoksal i autorit me Sadik Zeqirin, aktivist i Lëvizjes Studentore 1997-98 dhe ushtar i UCK i zënë rob, mu në mesin e plojës vrastare, kur ai, duke shpërfillur instinktet dhe prirjen natyrore për t’u fshehur në morinë e plumbave, ndalet dhe e pyet Enverin: “Pashë Zotin, a je ti Enver Dugolli?” Kësi paradoksesh ka plot në këtë roman dokumentar dhe këto i shtojnë rrëfimit dramatik dinamikën e të papriturës. Kjo e bën tekstin të lexohet me padurim, nga faqja e parë e deri në fund.
Madhështorja e kësaj drame qëndron te përballimi dhe mbijetimi i saj. Mjafton një episod për të dëshmuar. Edhe atëherë kur humbin të gjitha shpresat se mund të shpëtojnë gjallë në masakrën e Dubravës, “kur askush nuk besonte më në ndonjë të ardhme”, të burgosurit mbledhin të vrarët që vriten në çdo minutë dhe i mbajnë afër vetes. Shokun me të cilin vetëm para pak minutash ke biseduar, tash të vdekur e merr, ashtu në breshërinë e plumbave e bombave, dhe e mban afër vetes. Edhe ti do të vritesh mbas pak minutave, edhe ty dikush do të mbajë afër vetes…deri te i fundit. Nuk duan t’i lënë të vetmuar shokët e para disa çasteve, para disa orëve apo para disa ditëve, tashmë të vdekur. Ata donin të ishin bashkë me çdo kusht, të vdekur e të gjallë. Ky është triumfi i shpirtit njerëzor mbi të zezën historike dhe mbi anti-njerëzoren. Ky është optimizmi më i madh që buron vetëm nga njerëz që sakrifikohen për lirinë.
Në aspektin zhanror, librin e Dugollit mund ta vendosim te letërsia dokumentare (nonfiction literature), në llojin e romanit dokumentar. Nuk janë vetëm kujtime nga burgu, po njëkohësisht edhe përjetimi i burgut, ballafaqimi i njeriut që lufton për lirinë dhe bishës që e zhbën atë. Sado në Kosovë ka një letërsi nga burgu, për vetë dhunën e burgut nuk është shkruar shumë, një kohë me arsye e një kohë pa të, por kjo është një tezë tjetër që duhet të trajtohet domosdo. Ajo që na kujton libri i Dugollit është se nuk duhet të harrohet krimi dhe e keqja. Krimi mund të amnistohet, por vetëm pasi të zbardhet dhe të veprojë si katarsis. Prandaj ky është një libër që duhet ta lexojë secili që ka mbi tetëmbëdhjetë vjet, për ta përjetuar këtë katarsis. Kur e lexon librin, s’ka se si të mos shikosh më thellë në shpirtin e njeriut, se sa madhështor apo i keq mund të bëhet në situata ekzistenciale in extremis.
Se ka një apati të letërsisë shqipe për dramën e madhe të Kosovës, tashmë e kanë vërejtur edhe kritikë e studiues të tjerë. Provova të gjej një kritikë, një recension a thjeshtë një mendim a koment të ndonjë kritiku tanë për librin e Dugollit, por nuk pata sukses. Pyes: pse kritika jonë nuk e “zbuloi” apo pse e heshti këtë libër? Si është e mundur që për përkthimin anglisht e shkruan parathënien një autore e njohur si Anna Di Lellio, profesor te New York University (Enver Dugolli, Unbroken/ Surviving Milosevic’s prisons, 2021), gjenerali Vesly Clark reagon me një sms duke thënë se leximi i librit ka qenë “kuptimplotë për mua”, ndërsa kongresisti amerikan Peter J. Roskam shkruan me admirim dhe respekt një sms për librin, e në anën tjetër kritiku ynë, regjisori ynë, dramaturgu ynë, poeti e shkrimtari ynë, mediat tona nuk dinë për librin?!
Me çfarë tematike merret letërsia jonë, kritika letrare, filmi, muzika, arti, media…që nuk e hetojnë dramën e madhe të Kosovës, edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftës? Si nuk e hetojmë dramën e madhe të Dubravës, të cilën e orkestroi Millosheviqi mu para hundës sonë? Nëse UCK gjatë luftës qe e pafuqishme të ndërmarrë diçka për të shpëtuar të burgosurit e Dubravës, ashtu si shpresonin ata, pse tash artistët e Kosovës nuk e vërejnë atë dramë të madhe dhe nuk e shpëtojnë shpirtin tonë të mykur e hedonist?
Burgu i Dubravës është vetëm njëra prej shumë dramave të luajtura në tokën e Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX. Ka edhe shumë të tjera: drama e Jasharajve, drama e grave të dhunuara, drama e refugjatëve, drama e egërsisë për mbijetesë në Bllacë, drama e luftëtarëve të UCK të mbetur maleve të Kosovës me një grusht plumbash municion, deri te drama e madhe e shokut tim Gursës, Gursel Sulejmanit, piktorit që i pikturonte njerëzit e natyrën më mirë se i krijoi vetë zoti dhe e shtynte burgun nga dita në ditë duke buzëqeshur, e i cili i vra në fushëbetejë të lirisë, bashkë me vëllain, Bajramin.
Nëse Serbia është ende larg një katarsisi për Kosovën, të dashur artistë dhe krijues, a është i mundshëm një katarsis për ne?
Rruga Press