Një ide jo vetëm për qeverinë e Kosovës…
Shkruan Enver Robelli
A mund të zhvillohet një debat publik mbi modernizimin e linjës hekurudhore mes Pejës dhe Prishtinës?Natyrisht pa e anashkaluar rrugën në ndërtim e sipër.
Vija hekurudhore mes Pejës dhe Prishtinës është 85 kilometra e gjatë. Aktualisht trenit të vjetër i duhen mbi dy orë nga Prishtina në Pejë. Për vetëm 85 kilometra!
Tash le ta paramendojmë këtë vizion:
Në një hekurudhë moderne një treni modern nga Prishtina në Pejë do t’i duheshin mes 40 deri 50 minuta. Pra, nisesh nga Peja në orën 07:00 të mëngjesit dhe më së largu në orën 07:50 arrin në qendër të Prishtinës. Nisesh nga Prishtina në orën 18:00 dhe më së largu në orën 18:50 arrin në Pejë.
Përparësitë e udhëtimit me tren janë të jashtëzakonshme:
– mbrojtja e ambientit
– mundësia për të punuar në tren
– shpëtimi nga kolonat shpeshherë të tmerrshme në trafik
– shpejtësia nga destinacioni në cak
Çka duhet të bëhet?
Për shembull: qeveria e Kosovës vendos kontakte me firmën zvicerane “Stadler Rail”. E fton për vizitë në Kosovë shefin e kësaj firme Peter Spuhler. I kërkon një ofertë. Lufton qeveria për fonde të BE-së dhe për kredi të volitshme. “Stadler Rail” ka përvojë në shumë vende të botës në modernizimin e transportit publik.
Javën që shkoi “Stadler Rail” ia dorëzoi hekurudhave të Serbisë trenin që mund të ecën me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë. Nga marsi trenit zviceran do t’i duhen 30 minuta për të lidhur Beogradin me Novi Sadin (distanca mes dy qyteteve 95 kilometra). Në ceremoninë e dorëzimit të trenit modern ishin të pranishëm Peter Spuhler dhe ambasadori zviceran në Serbi. Natyrisht edhe kryetari i Serbisë. A. Vuçiqi ka diskutuar me firmën zvicerane edhe për hapjen e një fabrike transformatorësh në Serbi. I ka pritur në Serbi shefin e “Stadler Rail” dhe të birin e tij dhe përfaqësues të tjerë.
E Kosova? Kosova nuk i ka trokitur kurrë në derë asnjë firme të madhe zvicerane. Qeveritë e deritanishme të Kosovës kanë qenë të zëna me “punë të tjera”. Do të ishte e tmerrshme nëse këtë qasje e vazhdon edhe qeveria e tanishme.
Qe edhe një shembull tjetër:
Vija hekurudhore mes Zürichut dhe Bernit është 106 kilometra e gjatë. Treni e kalon për 59 minuta!
Rruga Press